Kongresi amerikan pritet të votojë rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

AKTUALITET


Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të enjten një rezolutë që do të kufizojë kompetencat e Presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë me Iranin.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se urdhri që dha zoti Trump për sulmin me dron që vrau javën e kaluar gjeneralin iranian Qasem Soleimani, u bë pa u këshilluar me Kongresin.

Zyrtarë të administratës informuan një ditë më parë Kongresin mbi këtë çështje, por duket se ligjvënësit kanë ngritur pikëpyetje rreth asaj se sa i justifikuar ishte sulmi.

“Nuk është e pranueshme për zyrtarët brenda qeverisë që të na thonë se ne nuk mund të debatojmë apo të diskutojmë se sa e justifikuar ose jo ishte ndërhyrja ushtarake ndaj Iranit. Kjo gjë nuk përputhet me parimet amerikane dhe është jo-kushtetuese dhe e gabuar”, tha senatori republikan Mike Lee.

“Këndvështrimi im mbi këtë çështje është se ata nuk vërtetuan në asnjë mënyrë, faktet që mbështesin pretendimin se egzistonte një kërcënim i afërt sikurse u parashtrua, pra që do të thotë se dikush kishte vendosur të sulmonte forcat amerikane dhe të vriste një numër të madh amerikanësh”, tha senatori demokrat Chris Van Hollen.

Rezoluta ka të ngjarë të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve ku demokratët gëzojnë shumicën, por ka pas gjasa që kjo gjë të ndodhë edhe në Senat i cili kontrollohet nga republikanët./VOA/



Skip to toolbar