Kongresi i PS, Veliaj: Tirana, model i suksesshëm i qytetit agjent të zhvillimit ekonomik

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë sot në Panelin mbi Qeverisjen Vendore të Kongresit të Partisë Socialiste, tha se Tirana është sot modeli i suksesshëm i qytetit, si agjent zhvillimi ekonomik.

“Më vjen mirë që, sot Tirana është Qyteti Europian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin tjetër do jetë Presidenca e B40 e në vitin 2025 jemi finalist për të qenë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Unë besoj fort se edhe këto tituj, që shumë njerëz mund t’i shohin në mënyrë cinike si këngë e valle, në thelb janë një faktor ekonomik që prodhojnë aktivitet: sepse punojnë hotelet, restorantet e gjithë mekanizmat e tjerë, ku konsumohet para e ku ngelet një e mirë publike. Sot Bashkia e Tiranës është bashki që 85% të buxhetit e ngre vetë. Pra, nga një bashki tipike, që më shumë kërkonte lëmoshë e rrinte te dera e Kryeministrit e ministrit të Financave, sot kemi mbërritur në një situatë ku, patjetër kemi nevojë për ndihmën e qeverisë, por 85% e të ardhurave janë nga Bashkia e Tiranës,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se për të arritur këtu është punuar në mënyrë që, çdo investim i kryer të prodhojë edhe ekonomi për të ardhmen.

“Jo vetëm çdo titull, çdo aktivitet, por edhe çdo investim duhet të paguajë veten. Ne e kemi kompensuar të gjithë shpenzimin për Sheshin Skënderbej vetëm nga parkingu i Sheshit Skënderbej. Po ashtu, kemi kompensuar të gjithë shpenzimin për Sheshin Italia vetëm nga parkingu, pra duke futur një element ekonomik, i cili gjeneron të ardhura. E njëjta gjë me vetëfinancimin që kanë disa hapësira të zonave, siç është Kalaja e Tiranës, Pazari, ku praktikisht ne vjelim taksa, por taksat i rikthejmë në një shoqatë që quhet një distrikt i promovimit të turizmit, që ata pastaj të gjenerojnë aktivitete dhe të shikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë që Bashkia iu përgjigjet qoftë dhe me kontributin mbrapsht të taksave të tyre për të lulëzuar disa zona që ishin zona të vdekura,” theksoi kreu i Bashkisë.

Sot falë këtyre nismave, vijoi Veliaj, agjencitë imobilare në Tiranë raportojnë që vlera e pronës në 10 vitet e fundit është rritur me 250-300%. “Siç ju dhashë një statistikë për burimet e Bashkisë, për rritjen e vlerës së pronës, po jap edhe një statistikë nga Universiteti i Harvardit. Kur bëmë një skaner të Tiranës në vitin 2015, 25% e ekonomisë së Tiranës prodhonte këpucë, 25% ishin tekstile. Në skanerin që bëmë përpara zgjedhjeve, 25% e ekonomisë së Tiranës sot është turizmi dhe 25% punët nga Teknologjia e Informacionit, një transformim i jashtëzakonshëm. Ndaj duam të vazhdojmë me këtë ritëm, duam që çdo investim të ketë duk ekonomik, të prodhojë punësim me rroga të mira dhe të prodhojë të ardhura për Bashkinë e Tiranës,” shtoi ai.

Në fund, Veliaj tha se Tirana është bashkia e parë që është licencuar nga qeveria për të qenë operator i një Zone të Lirë Ekonomike, TEDA-s në Kashar, ku janë ofruar kompani të mëdha mes të cilave edhe kompani që prodhojnë makina elektrike.

Edhe ministri Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë fjalës së tij në të njëjtin panel, deklaroi se synimi i përgjithshëm është që Shqipëria të ketë bashki të forta, ndërsa tha se vetëm Partia Socialiste ka treguar se mund t’ia dalë ta realizojë këtë objektiv. “Synimi i përgjithshëm i agjendës 2030 është që ne të kemi bashki të forta që i dali zot territorit të tyre dhe që kthehen në agjent të zhvillimit ekonomik të tyre dhe vetëm PS mund ta realizojë këtë gjë,” nënvizoi ai.



Skip to toolbar