Prokuroria e Posaçme po kryen veprime hetimore mbi veprën penale të pastrimit të parave në lidhje me kontratën e lobimit të firmosur mes Partisë Demokratike dhe një kompanie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hetuesit pritet të sekuestrojnë dokumentacionin dhe kontratën e lidhur mes kompanisë lobuese në SHBA dhe Partisë Demokratike vlera e të cilës shkon në 6 milionë dollarë në harkun kohor të dy viteve. Nga ana tjetër në SPAK pritet të thirren të gjithë personat që kanë dijeni për lidhjen e kësaj kontrate mes të cilëve edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Domokratike Flamur Noka që ka firmosur dokumentin.
Një ditë më parë SPAK njoftoi zyrtarisht nisjen e hetimeve pas publikimit në media të detajeve të kontratës. Sipas kontratës thuhet se në total për dy vite Berisha duhet t’i paguajë kompanisë 6 milionë dollar, 250 mijë dollarë në muaj. Ndërsa garantori i kontratës është shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, me origjinë nga Tropoja, njëkohësisht anëtar kryesie i shoqatës Vatra në Neë Jersey.
Kontratën e ka firmosur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të kompanisë lobuese ‘Continental Strategy’. Në kontratë, emigranti 72-vjecar elektricisto-alpinist Nuredin Seci dhe fondacioni fantazmë “Make Albania Great Again”, janë zotuar të paguajnë kompaninë Continental Strategy, 250 mijë dollarë në muaj, dhe 6 milionë dollarë deri në vitin 2027.