Muaji korrik i këtij viti ka qenë muaji më i nxehtë në Tokë që nga viti 1880, që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat mbi motin.
Lajmin e ka ndarë për publikun Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së. Sipas shkencëtarëve temperaturat gjatë muajit korrik kanë qenë 0.95 gradë Celsius më të larta se mesatarja e muajve gjatë shekullit të 20-të.
Korriku është përgjithësisht muaji më i ngrohtë i kalendarit, por meteorologët thonë se temperaturat e këtij viti vendosën edhe një rekord të ri për 140 vitet e kaluara.
Rezultatet ishin pritur, pasi disa vende evropiane përfshirë Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë raportuan se korriku përmbysi rekordet e mëparshme kombëtare të temperaturave.
Temperaturat e larta janë shoqëruar edhe me ekstreme të tjera klimatike. Ngrohja e oqeaneve ka çuar në një shkrirje të hershme të akullit në ngushticën e Beringut midis Rusisë dhe Alaskës.