Gati dosja për shkarkimin e Metës. Kuvendi, informacion nga 8 institucione

AKTUALITET


Nuk ka pushime për deputetët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta. Megjithëse nuk kanë zhvilluar mbledhje deputetët e këtij komisioni kanë punuar për të kopsitur sa më parë dosjen hetimore ndaj presidentit në mënyrë që në shtator me nisjen e punimeve të Kuvendit gjithçka të jetë gati për shkarkimin e tij.

Sipas burimeve të gazetës “SOT”, komisioni hetimor përveç shqyrtimit të shkeljeve të presidentit, u ka dërguar shkresë edhe 8 institucioneve më të rëndësishme në vend për t’u kërkuar më tepër informacione. Më konkretisht, komisioni hetimor i ka dërguar shkresë Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme në lidhje me krimet zgjedhore. Komisioni ka kërkuar informacione nga këto 3 institucione për të ditur se si ndikoi shtyrja e datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit dhe se sa ka ndikuar kjo në nxitjen e dhunës. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në lidhje me aktet që 4 anëtarët morën për të refuzuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Por mazhoranca ka kërkuar informacion edhe nga Presidenca, ku kërkoi sqarime pse e mori këtë akt për të shtyrë 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.


Pak ditë më herët, institucioni i Presidencës kthehu përgjigje, ku theksoi se vendimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve erdhi për t’u dhënë më shumë kohë palëve politike që të ulen në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën politike. Por një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Kolegji Zgjedhor, i cili ishte institucioni që e nuk i dha fuqi ligjore dekretit të presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kolegji ishte ai që la në fuqi 30 qershorin, ku si fakt për këtë ishte edhe kërkesa e Idajet Beqirit për të çregjistruar partinë e tij si subjekt zgjedhor. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji. Informacione i është kërkuar edhe Qendrës së Botimeve Zyrtare, për të marrë më shumë informacione se përse dekreti i presidentit për shtyrjen e 30 qershorit u botua në Fletoren Zyrtare. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Autoriteti i Mediave. Komisionit Hetimor i është kthyer përgjigje nga të 8 institucionet, të cilat janë grumbulluar nga protokolli i Parlamentit.

Pra dosja për shkarkimin e Metës është gati. Në shtator Tirana zyrtare do të vizitohet edhe nga ekspertë të Komisionit të Venecias të cilët do të zhvillojnë takime me Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, përfaqësues nga qeveria, KQZ, Komisioni i Posaçëm Hetimor, përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ku do të mbledhin informacion rreth kësaj nisme të kuvendit dhe më pas do të hartojnë një raport paraprak mbi bazën e kërkesës së drejtuar nga Kuvendi i  Shqipërisë. Më pas, opinioni i dalë nga Komisioni i Venecias do të jetë në dorën e Kuvendit dhe do të shfrytëzohet nga mazhoranca pa humbur kohë. Sipas të gjitha të dhënave pritet që presidenti Meta të shkarkohet në shtator. Dhe fill pas vendimit të Parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila pasi të jetë funksionale dhe do të thotë fjalën e fundit.




Skip to toolbar