Kosova në zgjedhje, Hoti: Kuvendi mos shpërbëhet pa votuar buxhetin 2021

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke zyrtarizuar tashmë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Hoti ka kërkuar që Kuvendi në detyrë mos shpërbëhet pa votuar buxhetin 2021 i cili është tepër i rëndësishëm pvr qytetarët në këtë kohë krize pandemie.

Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë Hoti, e cila ka thuajse 6 muaj në detyrë. Duket se Hoti dhe LDK e kanë pranuar tashmë vendimin dhe do përgatiten për zgjedhjet të cilat nuk do mbahen më larg se janari.

“Vendimi i Kushtetueses u bë publik. Unë e pranoj plotësisht dhe do ta respektojë pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem në deklarata për këtë vendim të Kushtetueses. Më vjen mirë që Kushtetuesja e ka sqaruar. Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vazhdojmë punën tonë. Është obligim kushtetues të përfillen procedurat për shpalljen e zgjedhjeve. Do t’i kryejmë obligimet tona. Siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, bizneset, do të jemi në krye të detyrës, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë.

Përpara kemi punë të rëndësishme edhe buxhetin. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa u votuar buxheti për vitin 2021. Një pjesë e buxhetit bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare. Prej që Kuvendi të miratojë buxhetin dhe këto marrëveshje ndërkombëtare. Do të vazhdojmë punën sipas planin, si qeveri në detyrë. Do të zbatojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe në janar, presim të vazhdojmë pakon për vitin 2021. Të gjitha ministritë do të vazhdojnë punën sipas agjendës shtetërore, asnjë punë s’do të mbetet mbrapa”, tha Hoti.



Skip to toolbar