Kosova përballë Çekisë, për një biletë në Euro 2020

AKTUALITET


Kosova përballet mbrëmjen e të enjtes në sfidën e parafundit eleminatore të Euro 2020, ndaj Çekisë në transfertë. Dardanët janë ende në garë për kualifik, ndaj do të kërkojnë tre pikët në transfertën çeke, pasi kundërshtarët e të enjtes janë dhe rivalët kryesor për kualifikim.

Në seancën e fundit janë stërvitur të gjithë futbollistët që trajneri Challandes i ka grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020, me përjashtim të Vedat Muriqit, i cili tashmë është kthyer në Turqi, për shkak të lëndimit. Atmosfera në radhët e Dardanëve është mjaft optimiste dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes.

Trajneri Challandes u shpreh të mërkurën se skuadra e tij është gati, ndërsa Muriqi do të jetë një mungesë e rëndësishme.  “A jemi gati? Sigurisht që po, pasi nëse nuk do të ishim do të qëndronim në Prishtinë e nuk do të vinim këtu. Muriqi është një mungesë e rëndësishme, pasi nuk kemi një lojtar të dytë si ai, që mund ta zëvendësoj kokë më kokë, por ka shumë rëndësi që të reagojmë si grup dhe të luajmë në këtë mënyrë në fushën e lojës”, ka thënë Challandes.

Nëse Kosova fiton ndaj Republikës Çeke, ekipi Dardan shkon në vendin e dytë në renditje me 14 pikë në Grupin A, ndërsa Çekia mbetet me 12 pikë. Ndërkohë, në takimin e fundit eleminator, Kosova pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Nëse fiton të enjten ndaj Çekisë, dhe barazon ndaj Anglisë, Kosova rrit shanset për kualifikim, duke mbajtur gjithashtu shpresën se Bullgaria do të ndalë Çekinë në takimin e fundit në grup.  



Skip to toolbar