Bastisjet e EULEX në zyrat e veteranëve, arrestohet kreu i OVL UÇK-së në Kosovë Hysni Gulaci

Kryetari i OVL UÇK-së në Kosovë, Hysni Gulaci është arrestuar nga ana e EULEX-it.

Mediat e Kosovës raportojnë se lajmi është konfirmuar nga pjesëtarë të OVL UÇK-së.


Gulaci aktualisht është në zyrat e veteranëve, ndërsa pritet të dërgohet në Hagë. Kujtojmë se sot EULEX ka zhvilluar një aksion të madh pranë zyrave të veteranëve.

Sa duket, synimi i tyre ka qenë arrestimi i Hysni Gulacit. Ende nuk dihet arsyeja e arrestit të tij.


Ministri i Jashtëm grek video konferencë me homologen e Kosovës: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka zhvilluar një video konferencë me ministren e Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj.

Kjo video konferencë kishte në fokus, lehtësimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.


Në qendër të diskutimit, ishte perspektiva e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.


“Kosovë-Serbi i kanë kryer njëra-tjetrës vrasje masive për vite me radhë”, pas deklaratës së Trump reagon ashpër ‘Vetëvendosje’

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratës së Trump ditën e djeshme në Karolinë e Veriut kur tha se SHBA ka ndaluar vrasjet masive Kosovë- Serbi që i kanë kryer njëra-tjetrës për vite me radhë.

Sipas LVV, me këtë qasje të SHBA rehabilitohen kriminelët e luftës së palës serbe, dhe nuk vendoset paqja por zgjatet konflikti i ngrirë.


Në reagimin zyrtar, thuhet se nëse shkak në luftën e Kosovës ka qenë konflikti etnik atëhere NATO s’kishte për të ndërhyrë dhe Millosheviç s’do provohej përgjegjës nga vetë SHBA, NATO e OKB si dhe vendet e fuqishme botërore.

Duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur aspak mirë deklaratën e djeshme të Trump, që e përdori në Karolinën e Veriut gjatë fushatës elektorale si një sukses i Shtëpisë së Bardhë.

REAGIMI NGA LËVIZJA VETËVENDOSJE

Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, “për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese.

Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid.


Prishtina dhe Tirana takohen të premten në Shkodër, dy qeveritë do të mbajnë mbledhje të përbashkët

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të premten në Shkodër.

Lajmi u bë i ditur sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ku zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.


“I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje. Për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha ajo.

Krahas këtyre qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe disa projekt-rregullore, në mesin e të cilave edhe ajo për riintegrimin e personave të riatdhesuar.


“Mirënjohje për marrëveshjen me Serbinë”, Thaçi letër Trump e nderon me medaljen “Urdhëri i Lirisë”

Kosova pritet t’i japë presidentit amerikan Donald Trump medalje, për rolin e tij për ta ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në arritjen e marrëveshjes sa i përket normalizimit të raporteve ekonomike, shkruan Reuters.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën të cilën e ka parë Reuters, ka informuar Trumpin se do të pranojë medaljen e Kosovës, Urdhri i Lirisë.


Me medalje do të bëhen edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i Trumpit, Robert O’Brien si dhe emisari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovës Serbi.

Kujtojmë që Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Uashington për një bashkëpunim ekonomik, ndërsa tani mbetet të trajtohet edhe normalizimi politik.

Në letrën dërguar Trumpit, Thaçi shpreh “mirënjohje për kontributin e dhënë për marrëveshjen”, duke e ftuar që ta vizitojë Kosovën.


Grenell në Beograd: Trump s`ka kohë, Serbia e Kosova marrëveshje sa më parë

I dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi nga Beogradi se kërkon arritjen e një marrëveshje të shpejtë mes dy vendeve. Grenell tha se Trump “nuk dëshiron të humbasë kohën dhe të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë”. “Presidenti Trump nuk dëshiron të humbasë kohën dhe nuk do të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë, nëse nuk ka asnjë përparim. Ne nuk duam të humbim kohë ose të imponojmë zgjidhje. Shpresoj që Serbia dhe Kosova do ta shfrytëzojnë mundësinë që kanë tani”, është shprehur Grenell për gazetën serbe “Blic”.  

Më tej, ai u shpreh se të dyja vendet duhet të bëjnë hapa të shpejtë për gjetjen e marrëveshjes. Grenell konfirmoi se së pari Kosova duhet të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, ndërsa do t`i kërkojë Serbisë të ndalojë lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ka një hapësirë të vogël dhe SHBA do të përqëndrohet në ecjen përpara. Le të hiqen tarifat, por unë gjithashtu do të insistoj që Serbia të ndalojë lobimin. Këto duhet të ndodhin në të njëjtën kohë. Unë mendoj se jemi afër për ta bërë atë realitet. Njerëzit duan të ecin përpara, të shohin përpara dhe të kapërcejnë të kaluarën”, është shprehur Grenell.


Edhe gjatë vizitës në Kosovë, Ambasadori Richard Grenell i bëri thirrje politikës të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, duke nxitur dialogun me Serbinë. Vizita e Grenell në Prishtinë dhe Beograd vjen vetëm pak ditë, pasi ai ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve për nisjen e fluturimeve direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Richard Grenell, që mban postin e Ambasadorit të SHBA në Gjermani, është caktuar nga Donald Trump si i dërguari i posaçëm për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës.


Thaçi dekreton Kurtin për Kryeministër, dy javë afat për të formuar kabinetin

Hashim Thaçi dekretoi Albin Kurtin si Kryeministër të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi nuk humbi kohë, duke firmosur dekretin që e bën Albin Kurtin Kryeministër, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi më hëret mandatin.

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në njoftimin e dekretit të Kurtit si Kryeministër i Kosovës.


Megjithatë, pasi kreu i Vetëvendosjes njoftoi publikisht se kishte pranuar të merrte mandatin, Thaçi e ftoi atë për takim në zyrën e tij në orën 12:00 të ditës së hënë. Mirëpo Albin Kurti refuzoi të shkonte për të marrë mandatin nga Presidenti i Kosovës.

Ndërkohë, pas lajmit se Albin Kurti kishte kërkuar mandatimin për Kryeministër të Kosovës, reagoi LDK-ja, e cila shprehur qëndrimin se ishte gati për koalicion, pavarësisht se veprimet e Vetëvendosjes i cilësoi “të njëanëshme”. Albin Kurti ka dy javë kohë në dispozicion për të krijuar qeverinë e re sipas Kushtetutës së Kosovës.


Vetëvendosja propozon Albin Kurtin për Kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë i kërkoi zyrtarisht Presidentit Hashim Thaçi të mandatojë Albin Kurtin për Kryeministër. Lajmin e raportojnë mediat kosovare, të cilat citojnë burime zyrtare nga Vetëvendosja. Sipas KosovaPress, Thaçit i është dërguar kërkesa me shkrim nga Sekretarja e Përgjithshme e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi.

Lajmi konfirmohet vetëm një ditë pasi  Presidenti i Kosovës bëri një apel të fortë për Albin Kurtin, ku i kërkoi të merrte mandatin e Kryeministrit ose të hapte rrugë për dikë tjetër. Ndërkohë, në momentin që Thaçi pranon propozimin dhe e dekreton atë, gjë që pritet të ndodhë brenda ditës së hënë, Albin Kurti duhet të krijojë qeverinë e re brenda një afati prej 15 ditësh sipas Kushtetutës së Kosovës.


Ndërkohë, negociatat mes Vetevendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë dhënë rezultat. Ndonëse palët publikisht deklarojnë se janë afër formimit të koalicionit, asnjë lëvizje konkrete (të paktën publikisht) nuk ka deri më tani lidhur me ata që do të jenë ministrat e ardhshëm të qeverisë.

Megjithatë, duket se Vetëvendosja po shfrytëzon të gjitha hapësirat që i ofron Kushtetuta për krijimin e koalicionit qeverisës. Kështu është dhe rasti konkret, që pas mandatimit si Kryeministër, Kurti do të ketë dhe 15 ditë kohë për të propozuar emrat e ministrave të qeverisë së tij.


21 vjet nga masakra e Reçakut, Thaçi e Meta bëjnë thirrje për drejtësi

Të mërkurën më 15 janar, liderët politikë të Kosovës kryen homazhe në kompleksin memorial në Reçak, duke përkujtuar masakrën e 21 viteve më parë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se “masakra e Reçakut është gjenocid i kryer nga shteti i Serbisë kundër Popullit të Kosovës”. I shoqëruar nga homologu i tij shqiptar, Thaçi theksoi se ishte kjo masakër që sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që Serbia po kryente në Kosovë.  “Jemi së bashku këtu me presidentin e Shqipërisë për të bërë nderimet më të larta shtetërore për të masakruarit. Maskara e Reçakut është gjenocid i kryer nga shteti i Serbisë kundër popullit të Kosovës por kjo sensibilizoi të gjithë opinionin ndërkomëbatr për të qartësuar se Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Më tej, Hashim Thaçi  u shpreh i pakënaqur nga drejtësia ndërkombëtare për zbardhjen e rasteve të masakrave në Kosovë. “Drejtësia ndërkombëtare ende nuk ka zbardhur rastet e masakrave në Kosovë, ka heshtur edhe në dhunimin e rasteve të 20 mijë grave, por sidoqoftë udhëtimi jonë është euroatlantik ne duhet ta konsolidojmë shtetin”. Ai komentoi edhe deklratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili disa kohë më parë tentoi të mohonte këtë masakër. Për  Hashim Thaçin, sjellja e Vuçiç është si e “Sllobodan Millosheviçit”.  “Është një sjellje e mentalitetit të Sllobodan Millosheviqit por kjo sjellje ka ardh si rezultati heshtjes ndërkombëtare për masakrën e Reçakut, ishte një shtytje dhe guxim i autoriteteve të Serbisë që t’i mohojnë krimet në masakrën e Reçakut”, ka deklaruar presidenti.


I pranishëm në këtë përkujtim, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u shpreh se ajo masakër shokoi mbarë botën, duke vënë në lëvizje diplomacinë botërore. “Ky akt s’mund të përmbyllej më saktë sesa me tre fjalë nga ambasadori Ëalker 21 vite më parë. Shokoi mbarë botën dhe vendosi në lëvizje diplomacinë botërore, përmes Konferencës së Rambujës për të ndalur luftën dhe për të gjetur zgjidhjen. Dhe më pas me ndërhyrjen e NATO-s. Këto akte me të gjitha zvhillimet dhe pasojat e saj tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor triumfon ndaj gjenocidit, dhunës dhe barbarizmit. Kjo solli dhe drejtësinë ndërkombëtare përmes lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Të çohet deri në fund drejtësia për autorët dhe organizatorët e këtij krim kundër njerëzimit. Duhet të qëndrojmë për vlerat europiane për të cilat po përpiqemi. Vetëm një e ardhme e përbashkët europiane mund të ndalojë ripërsëritjen e këtyre ngjarjeve”, tha Meta.


Mero Baze: Një qeveri ku shpresa ka lindur e vdekur

Nga Mero Baze

Albin Kurti mund të bëhet kryeministër. Nuk di sa do zgjasin vuajtjet e tij për të bindur Isa Mustafën t’i hapë rrugë marrëveshjes, por është normale që ai të bëhet një ditë. Anormale është rruga që që po ndjek formimi i qeverisë. Së pari, nga një qeveri e shpresës, është kthyer në një qeveri makthi. Nëse pas 6 tetorit kishte një eufori të pajustikuar për një fitore që nuk dihej pse e quanin fitore plebishitare, pas tre muajsh e ca ka një makth dhe bezdi nga fitimitarët.


Stërgjatja e bisedimeve dhe përfshirja në to e çdo interesi personal të atyre që kanë marrë përsipër të formojnë qeverinë, tregojnë qartë se shpresa që diçka do të ndryshojë, ka vdekur. Biles shpresa është viktima e parë e qeverisë së re. Së dyti, kjo qeveri, çfarëdo që të jetë, do të jetë një qeveri e cila do të jetë një arenë lufte mes atyre që duan të duken ndryshimi, dhe atyre që duan t’i tregojnë se kanë në dorë qeverinë.

Asgjë e re nuk mund të prodhohet më nga një qeveri që më shumë është menduar për hallet e veta, se sa për projektin për të cilin pretendon që është votuar. Së treti, që është dhe më e rendësishme për Ksoovën në gjithë këtë periudhë të lodhshme dhe të mërzitshme bisedimesh, nuk është përmendur në asnjë rresht halli kryesor i Kosovës, bisedimet me Serbinë, që janë në krye të axhendës së SHBA dhe BE për Kosovën. Biles më të vëshitra po duken bisedimet Kurti-Mustafa, se sa bisedimet e pritshme Kurti-Vuçiç, që duhen të mbahen normalisht pas formimit të qeverisë. Dhe një qeveri e cila nuk adreson problemin kryesor të Kosovës në bisedimet për qeverinë, është një qeveri që më së paku do t’i shërbejë Kosovës.

Është e qartë se SHBA dhe BE kërkojnë sa më parë formimin e qeverisë, pasi duan të punojnë me ta për axhendën kryesore të Kosovës, që janë bisedimet. Është e qartë që dhe partitë e mbetura në opozitë pas zgjedhjeve duan t’ua lënë sa më parë këtë patate të nxehtë në duar. Vetëm dy njerëz janë gjakëftohtë në Kosovë, që nuk e kanë fare shqetësim këtë gjë, dhe ata janë Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Manovrat e tyre për të shtyrë ditën e marrjes së mandatit  dhe lojërat me proceduart, tregojnë më së paku që ata nuk janë gati të qeverisin hallet e Kosovës, por të zgjidhin hallet e tyre.

Ndaj Kosova nuk ka luksin të shkojë as në zgjedhje të reja, dhe as të shikojë një skenë të re teatrale pa unitet dhe brenda qeverisë, për atë që i duhet Kosovës. I dërguari i presidentit Trump për Kosovën anuloi vizitën në Kosovë, pasi nuk ka me kë të bisedojë, dhe mbi të gjitha, se e shikon që askush nuk do të bisedojë për hallin e Kosovës. Ndaj do të ishte më mirë t’i jepej fund kësaj tragji-komedie të neveritshme.

Kosova do të ishte më e qetë me një qeveri me bazë të gjerë, mundësisht dhe Vetëvendosja brenda saj, dhe të bëjnë një plan së paku dy vjeçar për bisedimet me Serbinë dhe seriozitetin e shtetit të Kosovës, për të hedhur hapa të guximshme në drejtim të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kjo do të ishte një zgjidhje që së paku të mos tregonin njëritjetrin me gisht si tradhtarë apo heronj, derisa të zgjidhnin hallet e Kosovës. Pastaj le të ribëjnë zgjedhje për të parë nëse ka fitimtarë real në Kosovë, jo nga këta të vetëshpallurit. Por deri tani duket se ka vetëm një humbës të madh, dhe ajo është Kosova.


Skip to toolbar