Kosovë, KQZ shpërndan materialet zgjedhore

KOSOVA


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ditën e shtunë, më 13 shkurt.

Ai ka theksuar se materiali i ndjeshëm zgjedhor është duke u shpërndarë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe po dërgohet në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës.


“Ndërkaq, nesër në orët e hershme të mëngjesit do të shpërndahet për në qendrat e votimit në mënyrë që në orën 07:00 të mund të fillojë procesi i votimit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se KQZ-ja, duke u mbështetur në praktikave nga proceset e kaluara zgjedhore, sërish ka shtypur më pak fletëvotime sesa është numri i përgjithshëm i votuesve.

“Janë gjithsej 1.794.862 qytetarë me të drejtë vote, ndërkaq numri i fletëvotimeve që janë shtypur është 1.617.200 fletëvotime. Janë 177.662 fletëvotime më pak, që shprehur në përqindje i bie 10 për qind më pak fletëvotime sesa numri i votuesve. Kështu kemi vepruar edhe në të kaluarën dhe asnjëherë nuk është paraqitur mungesa e fletëvotimeve”, theksoi Elezi.

Ai shtoi se ekzistojnë edhe fletëvotime rezervë dhe se askush nga qytetarët me të drejtë vote nuk do të mbetet pa votuar.

Sipas Elezit, të drejtë vote kanë të gjithë ata qytetarë të cilët janë prezentë në listat e votuese dhe se ato lista përmbajnë jo vetëm votuesit që janë rezidentë në Kosovë, por edhe ata të cilët jetojnë jashtë vendit.

Sipas KQZ-së, në Kosovë janë gjithsej 888 qendra të votimit.




Skip to toolbar