Kosovë, sot shpallet rezultati i zgjedhjeve

KOSOVA


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  në Kosovë këtë të enjte pritet të shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur me 14 shkurt.

Pasditen e së ditës së djeshme përfundoi numërimi i të gjitha votave nga zgjedhjet parlamentare.


 “KQZ-ja do t’i shpallë të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18-të pas ditës së zgjedhjeve”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, duke e cilësuar si “rekorde” kohën e numërimit të votave.

Pas shpalljes zyrtare, partitë apo kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP-së, ankesa mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme. Ankesat eventuale mund të shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, proces ky që i hap rrugën afatit të ri ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky proces është formal dhe nuk pritet që të ketë vonesa dhe përbërja e re parlamentare mund të konstituohet brenda muajit mars.

Në bazë të rezultateve preliminare, zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke marrë parasysh të gjitha votat e numëruara, fituesi i këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosja, ka marrë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa e dyta në zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës, mori 19 mandate në Kuvend. Pas PDK-së, vjen LDK-ja me 15 mandate, Lista Serbe me 10 mandate, Komunitetet joserbe me 10 mandate dhe AAK-ja me 8 mandate.




Skip to toolbar