Kosovë: Tetë viktima dhe 345 raste të reja me COVID-19

CORONAVIRUS


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit tetë pacientë kanë vdekur dhe janë regjistruar 345 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Mitrovicë 2 raste (85, 79 vjeç), Prizren 2 raste (70, 65 vjeç), Pejë 1 rast (68 vjeç), Rahovec 1 rast (62 vjeç), Klinë 1 rast (69 vjeç), Ferizaj 1 rast (79 vjeç)”, thuhet në njoftimin e Institutit.


Ndërkaq, rastet e reja dalin pas testimit të 1.501 mostrave.

Në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së janë shëruar edhe 436 pacientë.

Që prej mesit të marsit, e deri më 19 dhjetor, Kosova ka regjistruar 48.682 raste me koronavirus.

Prej tyre, 1.248 pacientë kanë vdekur dhe 36.226 janë shëruar.

Raste aktive vazhdojnë të jenë 11.208.

Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi për masa të reja kundër koronavirusit. Aty përfshihen ndalimi i organizimeve të fundvitit nga institucionet publike, ndalimi i organizimit të aktiviteteve dhe ekskursioneve nga shkollat si dhe informimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, për masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës.

Hoti po ashtu paralajmëroi se në ditët në vijim, Ministria e Shëndetësisë do të prezantojë edhe masa shtesë kundër koronavirusit, në prag të festave të fundvitit./rel




Skip to toolbar