Gjatë prezantimit të platformës online, ku qytetarët e prekur nga tërmeti do të kenë mundësi të aplikojnë për programin e rindërtimit, Rama bëri të ditur se shifra e përllogaritur e dëmeve deri më tani është 1 miliard euro. Megjithatë, kreu i qeverisë sqaroi se shifra për rindërtimin e banesave të reja është më pak se 1 miliard euro. Sipas kryeministrit, në shumën totale, janë llogaritur edhe kostot që tërmeti ka shkaktuar në sektorë të tjerë të ekonomisë.
“Aspekt tjetër i rëndësishëm është ai i financimit. Me BE, OKB, BB, kemi punuar dhe jemi në prag të finalizimit të raportit të dëmeve. Nga të dhënat e deritanishme jemi mbi 1 miliard euro dhe raporti final do bëhet zyrtar e publik më 4 shkurt. Kostot e të gjithë këtij raporti nuk janë vetëm kostot e dëmeve në banesa, por kemi shkuar te dëmet e shkaktuara në sektorët e ekonomisë. Pra dëmet që i ka sjellë tërmeti një sektori të ekonomisë, duke ngadalësuar sektorin”, tha Kryeministri Rama.
Më tej, ai tregoi edhe tre format e financimit për programin e rindërtimit, ku një pjesë do të sigurohet nga buxheti i shtetit, një pjesë nga donatorët, dhe një pjesë nga një plan, për të cilin Kryeministri nuk dha detaje.
“Masa që duhet të garantojmë për qytetarët është më pak se 1 miliard, por është më shumë se mundësitë tona aktuale dhe për këtë arsye ne kemi vendosur vëmendjen në tre drejtime, së pari: garantimi i një pjese të konsiderueshme të financimit për rindërtimin me buxhetin tonë, një pjesë nga financimi ndërkombëtar. Ne nuk presim nga konferenca e donatorëve që të derdhen miliarda, por presim të kemi një volum plus për rindërtimin. E treta, ne po punojmë për disa alternativa të reja politike dhe operacione financiare, që do të na mundësojnë që të mbajmë zotimin”, theksoi Rama.