KQZ injoron Metën: Jeta vazhdon! Zguri ikën, Biba: Dekreti është nul

AKTUALITET


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka cilësuar nul vendimin e Presidentit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve, duke lënë vendin pa një datë të re zgjedhjesh. Vendimi për vijimin e fushatës elektorale dhe që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor, duke injoruar vendimin e Presidentit Meta është marrë nga KQZ nën drejtimin e Denar Bibës, pasi Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka braktisur mbledhjen.

Fillimisht u lajmërua se mbledhja e KQZ do të mbahej në orën 12:00, ajo u shty me dy orë, për shkak se anëtarët e KQZ kërkuan të njihen më mirë me argumentet e dhëna nga Ilir Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Mbledhja ka nisur në orën 14:00, ku kryetari i KQZ Klemenet Zguri ka mbajtur fjalën e hapjes së mbledhjes, duke kërkuar nga kolegët e tij që të zbatojnë dekretin e presidentit, pa diskutim. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur, ndaj Zguri u largua nga mbledhja, ndërsa drejtimin e saj e mori zëvendëskryetari Denar Biba. “Kjo është situatë e pazakontë. Për mua dekreti i Presidentit është detyrues dhe duhet të respektojmë vullnetin e tij. Dekreti i presidentit nuk ka ndodhur që të vihet në diskutim. Nuk dua të futem nëse presidenti është apo jo në të drejtën e tij. Refuzoj ti futem brendisë, sepse nuk është detyra jonë. Duhet t`i bindemi dekretit të Presidentit. Unë nuk e gjej më vend të drejtoj këtë mbledhje të KQZ kur ka debate kaq të forta. Kështu që për të qenë i qetë vetë, unë jam i detyruar të çohem, ose kolegët e mi mund ta zhvillojmë mbledhjen”, u shpreh ndër të tjera Klement Zguri, para se të largohej nga mbledhja e KQZ.

Mbledhja e KQZ vijoi më tej nën drejtimin e nënkryetarit Denar Biba, i cili e cilësoi të pavlefshëm dekretin e ri të Presidentit, që shfuqizon dekretin e parë për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas Bibës, Presidenti nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të anulojë datën e zgjedhjeve dhe aq më tepër të lërë vendin pa një datë tjetër zgjedhjesh. Biba bëri thirrje që KQZ të vazhdojë punën për zgjedhjet e datës 30 qershor.

 “Me të marrë vesh ardhjen e dekretit ne vendosëm ta shtynim me dy orë për ta analizuar atë. nuk ka hierarki mes nesh dhe presidentit. Ne jemi organe të ndryshëm. Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve “Zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019”. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kopetencave të tij. Nxjerrja e dekretit është brenda kopetencave të presidentit, por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh presidenti refuzon të përmbushë detyrimin që organi publik ia ka kaluar për ta ushtruar. Shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”, tha Biba.



Skip to toolbar