PD kërkesë KQZ: Shkarkoni Kajmakun

POLITIKË


Partia Demokratike i kërkon KQZ të shkarkojë pa vonese kreun e Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, i cili u vërtetua se ka gënjyer në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Përmes një kërkesë dorëzuar KQZ-së nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmen Bardhi, kërkohet që ky institucion të mos e vonojë më shumë heqjen e mandatit për Agim Kajmakun, pasi tashmë kjo është vërtetuar dhe nga prokuroria shqiptare, e cila nisi dhe një hetim ndaj tij.

Kërkesa i është dorëzuar kreut të KQZ-së Klement Zguri dhe u dërgua për dijeni dhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë. Në kërkesën e PD dërguar KQZ theksohet gjithashtu se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.


 “Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe identitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo ka sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban. Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi disa ditë më parë se në bazë të letërporosisë së ardhur nga Athina vërtetohet se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i dënuar në Greqi, janë i njëjti person dhe se shenjat e gishtërinjve përputhen. Kjo bëri që Prokuroria të nis një hetim ndaj tij për gënjimin në formularin e dekriminalizimit dhe i dërgoi një kërkesë KQZ për heqjen e mandatit. Vetë Kajmaku ka deklaruar se nuk kishte dijeni që po hetohej në Greqi, deri sa e mori vesh nga mediat dhe u interesua në Gjykatën e Janinës.    




Skip to toolbar