KQZ nis shpërndarjen e materialeve zgjedhore

AKTUALITET


KQZ ka nisur të enjten shpërndarjen e materialeve zgjedhore, por menjëherë edhe opozita ka nisur nga zbatimi planin e errët për bllokimin e procesit zgjedhor. Sipas të dhënave, materialet zgjedhore kanë mbërritur në Lezhë, Kamëz dhe Kukës. Në Lezhë, materialet janë transportuar nga mjete të ushtrisë të shoqëruara nga forcat speciale të policisë dhe janë vendosur në KZAZ-të numër 12 dhe 13. Nga ana tjetër policia bashkiake e Lezhës, e cila drejtohet nga PD ka kërkuar lirimin e ambienteve ku janë vendosur materialet zgjedhore. E njëjta situatë është dhe në Kukës, i njohur si bastion i djathtë. Materialet zgjedhore janë transportuar nga mjetet e ushtrisë të shoqëruara nga policia e shtetit dhe janë vendosur në KZAZ nr 11, në godinën e prefekturës. Kjo godinë prej një jave ruhet nga forca të shumta policie. Gjatë transportit të materialeve nuk ka pasur probleme. Ende nuk është bërë e qartë vendndodhja e qendrave të votimit.

Ndërsa në Kamëz, më shumë se 20 efektivë janë vendosur në KZAZ nr. 27 në shkollën “Ibrahim Rugova”, e ndërsa një grup tjetër efektivësh patrullojnë në lëvizje. Mësohet se një pjesë e uniformave blu qëndrojnë brenda ambienteve të KZAZ, pasi gjatë orëve të para të mëngjes mbërritën materialet zgjedhore. Kamza konsiderohet si një nga zonat më të nxehta për shkak edhe të tensioneve të ndodhura një javë më parë. Deri tani nuk ka pasur incidente, por policia ka përforcuar masat nga sulmet e mundshme të militantëve të opozitës.

Realstory.al paralajmëroi këtë plan të opozitës, duke publikuar kërkesën që të gjitha bashkitë e djathta i kanë dërguar KQZ-së, të cilat në formë ultimative kërkojnë lirimin e KZAZ-ve brenda datës 27 qershor, duke paralajmëruar akte dhune dhe asgjësim të materialeve zgjedhore, nëse nuk zbatohet kërkesa e tyre. Ky paralajmërim është bërë nga 24 bashkitë e drejtuara nga PD-LSI, duke sfiduar paqen e kryedemokratit Basha, i cili të martën në mbrëmje, u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë daljen në votime, por nuk përmendi bllokim të procesit zgjedhor. Madje, PD mohoi edhe qarkoren e publikuar të hënën nga Sokol Balla gjatë emisionit Real Story, por duke parë shkresën e nisur nga bashkitë e djathta, vëren se ajo qarkore ka shumë të vërteta brenda.



Skip to toolbar