Exclusive/Plani i errët kundër zgjedhjeve, nga qytetet e deri në KQZ!

AKTUALITET


Opozita i ka dhënë një ultimatum të rëndë KQZ-së, ku kërkon lirimin e KZAZ-ve brenda datës 27 qershor, duke paralajmëruar akte dhune dhe asgjësim të materialeve zgjedhore, nëse nuk zbatohet kërkesa e tyre. Ky paralajmërim është bërë nga 24 bashkitë e drejtuara nga PD-LSI, duke sfiduar paqen e kryedemokratit Basha, i cili të martën në mbrëmje, u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë daljen në votime, por nuk përmendi bllokim të procesit zgjedhor. Madje, PD mohoi edhe qarkoren e publikuar të hënën nga Sokol Balla gjatë emisionit Real Story, por duke parë shkresën e nisur nga bashkitë e djathta, vëren se ajo qarkore ka shumë të vërteta brenda.

Realstory.al siguroi një kërkesë tip, ku sipas informacioneve është nisur nga zyrat e PD për të gjitha bashkitë e opozitës, të cilat më pas e kanë firmosur dhe vulosur, duke ia drejtuar KQZ-së dhe policisë, e për dijeni vëzhguesve të OSBE-ODIHR. Aty thuhet qartë ato do të shkatërrojnë materialet zgjedhore.


Në këtë shkresë deklarohet se ne jemi të vendosur që të marrim nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim. “Në datat 27 Qershor 2019 – 2 Korrik 2019, në kushtet kur nuk ka një Dekret të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, në ambientet që ishin vënë në dispozicion paraprakisht për KZAZ dhe GNV, është planifikuar të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga njësia e qeverisjes vendore, apo për tubime që do të organizohen në përputhje me të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit, sipas nenit 47 të Kushtetutës. Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me materiale që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjësimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve”, paralajmërohet në kërkesë.

Pas sigurimit të kërkesës tip në realstory.al, gazetarët tanë pyetën kryetarët e bashkive nëse kjo kërkesë ishte e vërtetë dhe nëse ata ia kishin dërguar institucioneve përkatëse. Shumë prej kryetarëve të bashkive të opozitës, konfirmuan për realstory.al se kjo shkresë u është dërguar institucioneve përkatëse.

Konkretisht shkresa e dërguar u konfirmua nga Bashkia Tropojë, Kukës, Mat, Klos, Shkodër, Lezhë, Kamëz, Mallakastër, Devoll, Selenicë, Dropull. Madje, disa prej tyre dërguan dhe shkresat e firmosura, ku rezulton se të gjitha janë firmosur më 24 qershor, pikërisht ditën që u publikua edhe qarkorja e PD për moslejimin e procesit zgjedhor dhe janë të njëjta në përmbajtje.

Por plani nuk ndalet me kaq. Mesa duket ai ka edhe një Grand Finale. Pikërisht ditën e zgjedhjeve. Pas mbylljes së orarit të votimit, pas intimidimit të votuesve, pas prishjes së materialeve zgjedhore, turmat e mbështetësve të Bashës, Berishës, Kryemadhit e Metës, do të tentojnë bllokimin e akseve kryesore, për të penguar kutitë e votimit të mbërrijnë në KQZ. Një plan i rrezikshëm për qetësinë, dhe prova finale e premtimit të gënjeshtërt dhënë ndërkombëtarëve.

Ndërkombëtarët gjithsesi nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit. Siç Realstory.al e ka paralajmëruar, pritet këto dy ditë, një deklaratë e fortë e ndërkombëtarëve, në kor, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara. Kjo e dyta, ka një fytyrë dhe një emër: Matthew Palmer. I dërguari jo zyrtar për krizën shqiptare, ashtu si Hoyt Yee dy vjet më parë, pritet të përmendë “ofertën” finale të SHBA, atë ofertën që siç tha ish ambasadori Lu në një intervistë në Real Story vjet në shtator: “që politikanët shqiptarë nuk mund ta refuzojnë”.

Një ofertë që katërshja e krizës B.B.M.K. e ka dëgjuar në zyrë. Deri të premten me siguri, do ta dëgjojmë të gjithë. Ata që do shkojnë në votime, dhe ata që do tentojnë t’i pengojnë ato. Kësaj radhe do ketë një faturë, që nuk do ta ndajnë të gjithë shqiptarët. Ata nuk janë aq të pasur, sa të shkaktojnë krizën. Për fatin tonë, këtë e kanë kuptuar amerikanët. /Realstory.al




Skip to toolbar