Kreu i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të jetë Artan Lame. Ka qenë zëvendës kryeministri Erion Braçe që e ka prezantuar si kreun e institucionit më të ri që bën bashkë Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Ndërkaq Braçe ka premtuar zgjidhje të problemeve të pronave, ndërsa ka vlerësuar punën e Lames në krye të agjencisë së legalizimeve.
“Certifikimi i pronave është prioritet i qeverisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me legalizimet. Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur.
Dua të falënderoj zotin Lame dhe të gjithë kontributorët e tjerë. Dua të falënderoj edhe të gjithë drejtuesit e deri sotëm të ZRPP që kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm në punë për certifikimin e pronave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Qoftë ato nga procesi i legalizimeve qofshin toka bujqësore”, deklaroi Braçe.
Ndërsa Artan Lama tha se janë 3 drejtime kryesore ku ai do ta bazojë punën e tij.
“Reforma do të jetë në tre drejtime: Reformë thelbësore në hartografi, reformë thelbësore në shërbime dhe sistemet e shërbimit dhe reformë thelbësore në burimet njerëzore, në meritokraci.
I ftoj qytetarët shqiptarë që siç na ndoqën në reformën e legalizimeve të na ndjekin dhe në ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, tha Lame.