Kreu i shtetit ka mbetur vetëm. Atij nuk i bindet askush dhe për këtë arsye të gjithë kanë faj, vetëm ai është në rregull me respektimin e Kushtetutës. Këtë e ka pranuar vetë Meta, i cili nuk fajëson për krizën, vetëm Ramën, por edhe Bashën, edhe një pjesë të ndërkombëtarëve, të cilët nuk ka lënë pa i sulmuar sërish, duke e çuar një nivel më lart akuzat e tij, ndërsa është shprehur se ata janë helmues.
Këtë qëndrim, Presidenti i Republikës e ka mbajtur nga Kosova, ku pasi është përgjigjur se nuk ka nevojë për dekretimin e një date për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, pasi sipas tij është 13 tetori, ai nuk ka fajësuar vetëm mazhorancën, e cila do ta shkarkojë, por të gjithë, duke kursyer vetëm LSI-në.
Duke qenë se Meta ka shprehur për të mos i dhënë zgjidhje çështjes së krijuar në Shkodër, pasi i qëndron 13 tetorit, pyetjes nëse do të ndërmarrë veprim tjetër që synon zgjidhjen e krizës, Meta i ka rezervuar një përgjigje gjithëpërfshirëse, ku sipas tij, duhet të tërhiqen nga qëndrimet e tij, si mazhoranca, ashtu edhe opozita dhe ndërkombëtarët.
“I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për parandalimin e gjithë kësaj krize, për fat të keq është vetëm Presidenti i Republikës, i vetmi institucion që është në harmoni e në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është Presidenti”, u shpreh Meta në një prononcim për A2 nga Kosova. Sipas tij, përgjegjësit janë jashtë zyrës së Presidentit. “Më vjen shumë keq, si për mazhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend që të tregonte më shumë përgjegjësi sepse gjithmonë ka një parim kryesor që mazhoranca e qeveria kanë përgjegjësinë më kryesore për qeverisjen e vendit, për të krijuar disa kushte dhe garanci për opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, për vendoret ka bërë të kundërtën, ashtu sikurse edhe opozita me listën e dëshirave të pafundme, të cilat shpesh dalin jashtë realitetit ka bërë të pamundur deri tani përfshirjen në procesin institucional demokratik të zgjedhjeve. Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme dhe tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut për Shqipërinë për të përmbushur ato detyrime që burojnë nga marrëveshja e stabilizim asocimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe që duhet ta ndihmojë Shqipërinë që të çelë negociatat me Bashkimin Europian”, deklaroi Meta, duke lënë të kuptojë se nuk do të bëjë asnjë hap pas për zgjidhjen e krizës, pasi dështoi me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që e bëri për të futur PD-në në zgjedhje, por që sërish i ka dalë kundër edhe për 13 tetorin.
Ajo që vihet re te deklaratat e kreut të shtetit, veç sulmeve ndaj mazhorancës, ai ka shtuar ndjeshëm edhe sulmet ndaj Bashës dhe ndërkombëtarëve. Me deklaratën e fundit, Presidenti Meta numëron 21 sulme ndaj ndërkombëtarëve, ku 20 prej tyre janë evidentuar nga Realstory.al në ditën kur ai mori pushimet e gjatë për në zonën e Prevallës.