Fact Checking/ Metamorfoza e Metës, në 2 muaj 20 sulme ndaj ndërkombëtarëve

#NËRADAR


Kushdo që e dëgjon tani presidentin Meta i duket shumë larg figurës së tij të dikurshme kur sa herë që dilte në media thoshte sloganin e famshëm “me qetësi e dashuri”. Nga një kryetar Kuvendi që të paktën në media kishte krijuar imazhin e një politikani të qetë dhe kontribuues, në rolin e presidentit Meta ka pësuar një metamorfozë. Përveçse ka marrë rolin e drejtuesit të opozitës, gjë që faktoi me mesazhin e së enjtes përmes të cilit shigjetonte hapur Bashën, Meta ka dalë hapur dhe ka sulmuar ndërkombëtarët në të paktën 20 raste.

Realstory ka bërë një verifikim për të gjitha sulmet e tij ndaj BE dhe SHBA, ku rezulton se brenda një kohe prej gati dy muajsh, Meta ka bërë 20 deklarata të forta ndaj faktorit ndërkombëtar por edhe misioneve ONM dhe EURALIUS për Reformën në Drejtësi.


Sulmet e para ai i filloi më 18 qershor, tetë ditë pas nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, në një konferencë për shtyp, ku doli kundër OSBE dhe ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan respektimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve kohore duke treguar se njohin 30 qershorin dhe jo dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve. Me një ton të ashpër, Meta  i quajti ato ngatërrestarë dhe tha se është ai përgjegjësi për stabilitetin e vendit. “ Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre. “ u shpreh Meta.  Por këto sulme nuk u ndalën këtu, por vijuan të shtoheshin dhe ashpërsoheshin akuzat ndaj tyre. Më 24 qershor Meta e cilësoi kuintin e ambasadorëve si një “fondacion ndërkombëtarësh” pasi ato nuk njohën dekretin e tij dhe janë përgjegjës për krizën në vend. Një ditë më pas më 25 qershor gjatë një konference për shtyp Meta i sulmoi ata sërish për mosnjohjen e dekretin e tij për anulimin e 30 qershorit duke u treguar se ai nuk kishte anuluar zgjedhjet as në Itali dhe as në SHBA, por në Shqipëri, ku ishte president vetë dhe vendoste po vetë.” Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë.”

Por sulmet nuk ndalën këtu, më 26 qershor,  me një ton të ashpër gjatë takimit që zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, kreu i shtetit i cilësoi ndërkombëtarët përgjegjës nëse do të ketë konflikt në vend. “Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”, shprehej Meta. Një ditë pas dekretimit të zgjedhjeve të reja më 13 tetor, më 28 qershor Meta nuk e uli sulmin e tij, por këtë herë zgjodhi të flasë përmes ish-vartësit të tij, Ylli Manjani me një ripostim të statusit të tij në Facebook, i cili deklaron se të vetmit që përfitojnë dhe kënaqen nga dhuna janë “ndërkombëtarët të cilët “fërkojnë barkun.” por që në “në fakt duhet të kenë turp””. Një ditë pas 30 qershorit, ku Meta u fut në histori si presidenti i parë që nuk voton, më 1 korrik ai sërish zgjodhi të sulmonte dhe fliste përmes Manjanit me ripostimin e statusit të tij në Facebook ku shkruante “Shumë faleminderit ambasadës se USA për deklaratën mbi votimet një partiake. Si gjithmonë edhe këtë herë, nuk ngurroi t’ja fuste kot! “

Meta zgjodhi të fliste me 2 korrik në konferencën e tij të famshme ku sulmet përfshinë këdo, veçanërisht të huajt, deklarata të cilat për shumicën u cilësuan si “të çmendura”. Meta bëri disa akuza dhe deklaratat të paarsyeshme, madje duke shpallur edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë parlamentare. Meta akuzoi ndërkombëtarët se po punojnë për interesat e Ramës madje duke i akuzuar edhe për “Deep State” që synon një “total state capture” (kapje të plotë të shtetit) në Shqipëri. “I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit dhe mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit. PPPd do të thotë, Politikanët, Propaganda, Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë) dhe d e vogël diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”, deklaroi Meta. Në këto akuza ai nuk kurseu as miliarderin George Soros, të cilin e akuzoi për “Deep State” duke i thënë se “Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit, Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi”.

Më 3 korrik zgjodhi të sulmojë reformën në drejtësi, jo pak po 5 herë brenda 12 orëve. Filloi me një sulm mëngjesin e 3 korrikut përmes një postimi në Facebook dhe më pas përfundoi me letrën drejtuar Naureda Llagamit, kryetaret të këshillit të lartë gjyqësor. Si në postimet e tij në Facebook ashtu edhe në letrën zyrtare drejtuar KLGJ-së, Meta sulmon ashpër EURALIUS, ndërkombëtarët e misionit të BE, që janë marrë posaçërisht me hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas presidentit zgjidhjet provizore të propozuara nga misioni ndërkombëtar i BE-së janë në shkelje të Kushtetutës. “Për sa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V” (që rekomandon një skemë delegimi të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë deri në emërimin e anëtarëve të përhershëm të saj) presidenti vëren se ky propozim cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës” – thuhet në deklaratat e tij të shumta atë ditë duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si “Ramaformë”.  Sigurisht që po atë ditë nuk i munguat sulmit as ambasadori i BE-së, Luigi Soreca duke e akuzuar se ai ishte ai “realisht për nxitjen e dialogut mes palëve?” dhe shefja e ONM, Genoveva Calavera për Reformën në Drejtësi. Më 5 korrik sërish duke e sulmuar Calaverën dhe ndërkombëtarët Meta tha se nuk i trembët SPAK dhe Reformës në Drejtësi duke treguar se sapo kaloi Spaçin. Mospranimi i zgjedhjeve të reja më 13 tetor si nga ndërkombëtarët dhe vetë aktorët politik të skenës shqiptare, duket se nuk e lanë presidentin të pushonte i qetë. Më 8 korrik ai lajmëroi një tjetër konferencë, që sa vijnë e bëhen më të shpeshta, sërish duke sulmuar aleatët e Shqipërisë dhe akuzuar ato për njëanshmëri në lidhje me zgjedhjet. “Presidenti i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .”

Ditën e 16 korrikut, Presidenti Meta e nisi sërish me një status në Facebook duke sulmuar Reformën në drejtësi apo “Ramaformën” nuk kurseu aspak sulmet e ashpra për përfaqësuesit e misioneve OPDAT, USAID, ONM dhe EURALIUS se nuk i kishin ardhur presidentit në dy takime në 2017 dhe 2018 për mbledhjen e KED dhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. “Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit.” – shkruan Meta. Gjatë një vizite në Xhafzotaj të Shijakut, vetëm dy ditë më pas, më 18 korrik,Meta sulmoi sërish ndërkombëtarët duke përdorur shprehjen se ato mund të “bëjnë edhe gomarin të fluturojë”, por kjo nuk ndodh në Shqipëri.  “Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon! Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!”

Edhe pse u duk sikur ra për disa ditë në qetësi dhe shkoi me pushime në Gjirin e Lalzit ku nuk mungonin dhe foto e tij me rroba banjo duke përshëndetur qytetarët, Presidenti Meta u shfaq sërish me sulmet e tij pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Më 24 korrik, nga dera e Gjykatës Kushtetuese, në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit foli për““rilindës lokalë” dhe ‘rilindës ndërkombëtarë” që e lanë vendin pa Gjykatë Kushtetuese duke shtuar do të marrë fund njëherë e mirë sundimi i oligarkëve. “Më 30 korrik, presidenti doli në një konferencë për shtyp, që u dukë sikur do të ishte e fundit me nisjen e pushimeve për institucionet dhe administratën, por nuk ishte kështu. Meta tha se do të vijonte konferencat për të bindur palët që 13 tetori është data e zgjidhjes së krizës në vend. Ndërsa nuk harroi të përmendte edhe ndërkombëtarët duke thënë se ato janë bërë palë me Ramën për të krijuar “Ramaformën”. “Siç ka shqiptarë të ndryshëm ka dhe ndërkombëtar të ndryshëm”, ndërsa tha se për integrimin e vendit nuk keni pse pyesni “ndërkombëtarët pasi ato janë me një “mandat të limituar”, por të pyesin atë vetë, pasi është marrë me këtë proces gjatë gjithë karrierës së tij politike.”

Katër ditë më pas, më 3 gusht Presidenti Meta ka shtuar dozën e sulmit kundër SHBA-së duke akuzuar zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer për “njëanshmëri” “Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike”. Më 5 gusht duket se shënohet edhe sulmi i fundit i Metës ndaj ndërkombëtarëve me dekretimin e dy ligjeve njëri prej të cilëve “ndryshimet për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” edhe pse Meta i vlerësoi ndryshimet nuk hezitoi të akuzonte EURALIUS se “për shkak të nxitimit të tyre dhe mosgjykimit në mënyrë të thelluar nuk e hartuan në mënyrën e duhur ligjit që në fillim.”

Sulmet e presidentit Meta gjatë gjithë kësaj kohë kanë qenë të paprecedentë, të forta dhe të ashpra, por duket se ditët e fundit po fokusohet në një tjetër rol, atë të drejtimit të opozitës duke lënë në hije dhe mënjanuar Bashën. /RealStory.al




Skip to toolbar