Kryebashkiaku i Nju Jorkut akuzohet për sulm seksual në vitin 1993

BOTA


Një grua akuzoi të mërkurën kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams për sulm seksual dhe vepra të tjera të përfshira në një dosje të dorëzuar në gjykatë, duke pretenduar se ato ndodhën në vitin 1993 ndërsa të dy punonin për qytetin e Nju Jorkut.

Një zëdhënës i zotit Adams i mohoi akuzat, duke thënë se kryebashkiaku nuk e njeh personin, që ka ngritur akuzat dhe nuk mban mend ta ketë takuar atë.

Akuza ndaj zotit Adams është pjesë e një vale padish të paraqitura këtë javë kundër figurave publike, në bazë të një Ligji për Viktimat të shtetit të Nju Jorkut, përpara skadimit të një afati të posaçëm njëvjeçar për ngritje të këtyre llojeve të akuzave për krime që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Ligji lejon që padi të tilla të ngrihen në gjykatë përtej afatit ligjor.

Dosja e gjykatës së shtetit të Nju Jorkut me akuzat kundër zotit Adams, një ish-oficer policie, nuk ofroi detaje specifike për atë që ka ndodhur, por aty thuhet se: “Natyra e këtij veprimi është sulm seksual, dhunë dhe punësim në bazë të gjinisë së paditësit, hakmarrje, ambient armiqësor pune dhe shkaktim i qëllimshëm shqetësimi emocional.”

Në padinë, e dorëzuar të mërkurën vonë, e cilë është parë nga agjencia e lajmeve Reuters, kërkohet dëshpërblim prej të paktën 5 milionë dollarësh dhe përmendet qyteti i Nju Jorkut, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, Shoqata e Gardianëve të Departamentit të Policisë, një organizatë vëllazërore që përfaqëson oficerët me ngjyrë dhe tre persona të panjohur.

Departamenti i policisë dhe Shoqata e Gardianëve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të enjten.

“Kryebashkiaku nuk e di se kush është ky person. Nëse ata janë takuar ndonjëherë, ai nuk e mban mend atë. Por ai kurrë nuk do të bënte gjëra për të dëmtuar fizikisht një person tjetër dhe mohon me forcë çdo pretendim të tillë”, tha një zëdhënës i Bashkisë në një email.

Akuzat ndaj kryebashkiakut Adams pasojnë disa probleme të tjera ligjore me të cilat po ndeshet ai.

Më 6 nëntor, FBI-ja sekuestroi dy telefonat dhe iPAD-in e zotit Adams në kuadër të një hetimi, që sipas lajmit të bërë publik nga gazeta New York Times kishte të bënte me financim të paligjshëm nga qeveria turke të fushatës së zotit Adams në zgjedhjet e vitit 2021. Lidhur me këtë, avokati i zotit Adams ka thënë se kryebashkiaku po bashkëpunonte në kuadër të një hetimi, pa bërë të ditur se për çfarë bëhej fjalë./VOA



Skip to toolbar