Krerët e partive aleate të PD-së, kanë reaguar pas mbledhjes së zhvilluar me Bashën në selinë blu dhe i kanë bërë apel kryeministrit Rama që të zbatojë planin e opozitës për të dalë nga kriza.
Në përfundim të mbledhjes me Bashës, kreu i PR, Fatmir Mediu ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për krizën politike dhe i ka bërë thirrje atij që të lërë “lojërat” dhe të shqyrtojë ofertën e opozitës.
“Preokupimin dhe angazhimin e opozitës është sesi duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi maksimale. Duhet specifikuar se cilat duhet janë hapat për të plotësuar detyrimet që garantojnë standartet europiane. Reformë elektorale me ekspertë nga PD dhe partitë e tjera. E papranushme për Ramën, që të bëjë lojëra fjalësh. Cilat janë problemet e Shqipërisë dhe ato janë në anën e Ramës, ia kemi bërë ofertën për zgjidhjen e krizës. Ka nevojë për të mbajtur përgjegjësi dhe ai është përgjegjësi kryesor”, tha Mediu.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se platforma me 5 pika që i është dërguar kryeministrit Rama është një strukturë strategjike që kërkon palë nga mazhoranca dhe opozita për zgjidhjen e krizës politike. Ndërsa për deklaratën e një dite më parë që kreu i qeverisë bëri në Report Tv ku tha se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike, Kryemadhi u shpreh se ai duhet të kthejë përgjigje për platformën dhe më pas të vijë për dialog në PD.
“Është një strukturë strategjike që thotë një palë nga mazhoranca, një palë nga opozita dhe një palë nga ndërkombëtarët. Ajo është një nga 9 pikat e kushteve të Bundestagut. E gjithë kjo strukturë dhe ato 9 kushte, janë të domosdoshme. Basha përfaqëson opozitën dhe jo vetëm PD. Ka qenë një lapsus.
Rama ka qenë refraktari dhe anti-dialog gjithmonë. Duhet të nxjerrim vendin nga kriza dhe t’i japim shansin të gjithëve për një jetë më të mirë. Rama ka 5 kushte dhe duhet të kthejë njëherë përgjigje për ta dhe pastaj hajde në PD të flasim”, u shpreh Kryemadhi.
Më herët kreu i PD-së, Basha tha se plani anti-krizë i opozitës me 5 kushte i ka shkuar Ramës në tryezë. Në formën e ultimatumit Basha tha se Rama ose duhet të pranojë 5 kushtet ose të hapë krahun. Një ndër pikat kryesore në planin e opozitës ishte realizimi i reformës zgjedhore përmes ngritjes së një strukture jashtëparlamentare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Për këtë pikë Rama është shprehur në një deklaratë të mëhershme dhe e ka kundërshtuar atë, duke thënë se “nuk pranon përkthyes për të folur shqip”./realstory.al