Nga lufta, derë me derë

AKTUALITET


Pasi hoqi kushtet dhe deklaroi se është gati të futet në zgjedhje me Ramën, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duket se ka ndërruar strategji duke u tërhequr nga skenari i protestave dhe duke nisur një fushatë derë më derë tek qytetarët.

Ajo ka shkuar për darkë të enjten në mbrëmje në shtëpinë e një qytetari në Tiranë.  Në këtë takim, kryesisht me të rinjtë, Kryemadhin ka theksuar se shqetësimi më i madh në vend është papunësia dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Kryemadhi tha se “LSI ka një program për ekonominë, që synon mbështetjen e biznesit të vogël, inkurajimi i të rinjve për të mos u larguar nga vendi duke i krijuar mundësinë të hapin biznese në vendin e tyre”.

Deklarata këto që ngjasojnë me nisjen e një fushate elektorale. Duket se kryetarja e LSI-së po bën gati partinë për zgjedhje. Vetëm pak ditë më herët ajo deklaroi se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e krizës në vend dhe se LSI është gati të futet në zgjedhje dhe me Ramën kryeministër, duke dalë kështu kundër Bashës dhe vendimeve të marra prej tij.

“Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. Pse e themi nuk kushtëzojmë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të zhbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë. Ne duhet të përplasemi, ne duhet të luftojmë me bishën, sepse nëse nuk luftojmë me bishën nuk ka kush ta mundë bishën dhe në këtë rast, bisha është kapja e pushtetit nga kryeministri. Pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër, për ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik.”, u shpreh Kryemadhi në një intervistë për News 24.



Skip to toolbar