Kryeministri çek për njohjen e Kosovës: Deklarata, jo reale

KOSOVA


Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabic, e cila deklaroi se kryeministri çek ka shprehur gatishmëri për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke hedhur poshtë edhe deklaratën e presidentit Zeman. Kryeministrja serbe para gazetarëve ka thënë se ka diskutuar me homologun e saj çek, duke shtuar se ai është shprehur i gatshëm të diskutojë mundësinë e tërheqjes së njohjes ndaj Kosovës.

Siç u shpreh Brnabiç në Pragë, ku ajo po merr pjesë në Samitin e V4-tës, deklaratat e presidentit çek kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinion, shkruan lajmi.net. Por, në anën tjetër, Babis ka thënë se këto deklarata janë jo-reale. Ai ka shtuar se nuk sheh arsye që Çekia të ndryshojë qëndrim sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës.


“Politika e jashtme e Çekisë, është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye, që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Babis në një konferencë për media.

“Deklarata të bëra nga presidenti, opinioni i Zemanit është gjithmonë i njëjti. Nuk është asgjë e re”, ka thënë Babis në konferencë për media, pas pyetjes së gazetares serbe, se si i komenton deklarimet e presidentit Zeman për heqjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Babis, përveç tjerash ka folur edhe për mospjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në këtë takim. Ai ka thënë se ka pranuar letrën e kërkim faljes nga Haradinaj dhe se kryeministrin e ka përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu.

Deklaratën e Zeman, siç duket nuk e ka besuar as vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili tha të enjten se nuk mendon se është reale që Republika e Çekisë të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke komentuar deklaratat e presidentit të Çekisë, Milosh Zeman, se ai do të ngrejë çështjen e tërheqjes së njohjes para institucioneve çeke, Vucic tha se çekët janë “miq të sinqertë” të Serbisë, por që shtetet, veçanërisht ato, që sipas tij janë “në të njëjtin bllok” nuk i ndryshojnë shpesh vendimet. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha gjithashtu se Vatikani po ndjek një politikë serioze, dhe se do të ruajë qëndrimin e tij për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. “Por Vatikani dëshiron bisedime dhe një zgjidhje paqësore midis serbëve dhe shqiptarëve,” u tha Vucic gazetarëve .

Edhe më herët, elementë të caktuar politikë në Republikën e Çekisë kanë kërcënuar se do tërheqin vendimin për njohjen e Kosovës. Një vit më parë, ish-diplomati çek, Jan Kavan, sipas raportimeve në atë kohë të mediave serbe, kishte filluar një peticion për tërheqjen e njohjes për Kosovën nga Republika Çeke. Kryeministri çek, Andrej Babis, edhe në atë kohë konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij ndaj Kosovës.




Skip to toolbar