Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) tha se po kërkon që të lëshohen fletarrestime ndaj udhëheqësve të lartë talibanë në Afganistan lidhur me përndjekjen e grave, që është krim kundër njerëzimit.
Karim Khan tha se ka arsye të bazuara për të dyshuar se udhëheqësi suprem, Haibatullah Akhundzada, dhe shefi i drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani “kanë përgjegjësi kriminale për krimin kundër njerëzimit të përndjekjes mbi baza gjinore”.
Khan tha se gratë dhe vajzat afgane, por edhe komuniteti LGBTQ, po përballen “me përndjekje të paprecedent, të paarsyeshme dhe të vazhdueshme” nga talibanët.
“Veprimi ynë sinjalizon se status quo-ja për gratë dhe vajzat në Afganistan është e papranueshme”, shtoi Khan.
Gjykatësit e GJNP-së tani do ta shqyrtojnë kërkesën e Khanit para se të vendosin nëse do të lëshojnë fletarrestime, proces që mund të marrë javë apo muaj kohë.
Gjykata, me seli në Hagë, është themeluar për të vendosur për krimet më të tmerrshme në botë, sikurse janë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.