Këshilli Bashkiak Shkodër: Kryetari i Bashkisë? Procedura, sipas Kodit Zgjedhor (shmanget Meta)

AKTUALITET


Ngërçi në Shkodër do të zgjidhet sipas Kodit Zgjedhor. Pikërisht kështu ka deklaruar kryetarja e re e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia e zgjedhur të hënën me 47 vota pro. Në mbledhjen ku u konstituua këshilli i ri bashkiak dhe ku u zgjodhën edhe tre nënkryetarët e këshillit Bashkiak që janë Arvid Osja, Tereze Brigja dhe Suada Selimaj; Kadia lexoi dorëheqjen nga posti të kryebashiakut socialist Valdrin Pjetri dhe tha se këshilli bashkiak i Shkodrës do të njoftojë institucionet shtetërore dhe procedura do të vijojë në zbatim të Kodit Zgjedhor.

Kryetarja e re e Këshillit Bashkiak të Shkodrës nuk përmendi në asnjë rast ligjin për pushtetin vendor, ndërsa bëri të ditur se çështja do të zgjidhet sipas Kodit Zgjedhor.


Më herët realstory ka shkruar se kriza në Shkodër mund të zgjidhet duke zbatuar nenin 161 të Kodit Zgjedhor, duke nxjerrë jashtë loje presidentin Meta i cili refuzoi të dekretojë një datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër.

Ky nen parashikon qartë se çfarë ndodh në rast të përsëritjes së zgjedhjeve dhe bazuar në pikën 6 të tij thuhet qartë se është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit.

“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla përmes një reagimi parlajmëron zgjedhje të reja në Shkodër, ndërsa shkruan se “në mbledhjen e Këshillit Bashkiak është konstatuar mosparaqitja e fituesit Valdrin Pjetri”, duke i bërë kështu zgjedhjet në Shkodër të pavlefshme dhe duke i hapur rrugën KQZ-së të vendosë një datë tjetër për përsëritjen e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë presidenti Meta del jashtë loje, sikurse realstory e ka shkruar më herët.

“Në lidhje me kompetencën e Këshillit Bashkiak në raport me Kryetarin e Bashkiksë, në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak u konstatua fakti i mosparaqitjes se fituesit si Kryetar Bashkie Shkodër në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019, Z. Valdrin Pjetri për të bërë betimin në përputhje me ligjin.

Sa më sipër, institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në situatën e krijuar”, shkruan Taulant Balla.

Vetëm kjo është rruga që i jep zgjidhje ngërçit në Shkodër, duke u nisur nga fakti se presidenti Meta ka refuzuar të dekretojë një datë të re për zgjedhje të pjesshme në këtë bashki, pasi këmbëngul që zgjedhjet në mbarë vendin të zhvillohen më 13 tetor. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja në Shkodër i jep mundësinë PD-së të dalë nga ngujimi dhe bojkoti, megjithëse deri tani kjo është kundërshtuar nga selia blu./Realstory.al




Skip to toolbar