Kthen 3 ligje në 24 orë. Dekretet, arma (që nuk vret) e Metës kundër mazhorancës

Më të fundit


Pas dekreteve për zgjedhjet vendore, që i kushtoi me ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij, Ilir Meta nuk e ka ndalur “luftën” me mazhorancën, ku me mesazhe të ndryshme ose me dekrete, po e sulmon me fuqinë që i jep funksioni i Presidentit. Brenda 24 orëve, kreu i shtetit i ka kthyer tri ligje mbrapsht mazhorancës, duke u bërë një “pengesë” burokratike në funksionimin e shtetit, pavarësisht se fuqia e tij mund të shkaktojë vetëm vonesë të hyrjes në fuqi të ligjeve dhe jo anulim të tyre.

Mëngjesin e së martës, Ilir meta ka njoftuar Kuvendin se ka kthyer mbrapsht ligjin “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, ndërsa të hënë në mbrëmje ktheu mbrapsht ligjin për “rezervat materiale të shtetit”. Pa kaluar as 30 minuta nga njoftimi i parë, Presidenti Meta ka njoftuar edhe për kthimin mbrapsht të ligjit për “Vetëqeverisjen Vendore”, për të cilin mazhoranca kishte propozuar disa ndryshime ligjore, por që kreu i shtetit ka kërkuar rishikim të disa neneve, pasi sipas tij kjo bie në kundërshtim më kompetencat e këshillave bashkiakë.

Megjithatë, qëndrimi i Presidentit kundër mazhorancës me dekretet e tij është i hershëm që me mosdekretimin e dy ministrave të qeverisë Rama, si në rastin e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ashtu edhe me Ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj, ku gjatë këtyre muajve ka kthyer edhe projektligje të tjera, por kulmi arriti me dekretin e kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, një veprim i cilësuar nga mazhoranca si antikushtetues, ndërsa vetëm 3 ditë para zgjedhjeve, nxori një tjetër dekret, duke vendosur që data e zgjedhjeve të jetë më 13 tetor.

Por, duke humbur vëmendjen si të mazhorancës qeverisëse, ashtu edhe mbështetjen e ndërkombëtare, Ilir Meta duket se ka vendosur të përdorë armën e vetme për të qenë në vëmendje të opinionit publik, pikërisht dekretet.

Por 3 dekretet e fundit nuk janë të vetmet që Ilir Meta po përdor si armët e tij në betejën me mazhroancën, të cilës nga dita në ditë po i afron fundi, pasi komisioni hetimor është ngritur dhe vendimi për shkarkimin e tij mund të merret në shtator, kur pritet të ngrihet edhe Gjykata Kushtetuese.

Javën e kaluar, ai sulmoi mazhorancën me një tjetër dekret, duke mos njohur zgjedhjet për kreun e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, veprim tjetër, i ngjashëm me dekretet për ministrat. Edhe në këtë dekret ai thotë se ka gjetur shkelje, pasi Gjinushi nuk ishte larguar ende nga gjykata si kryetar partie kur u zgjodh nga Akademia e Shkencave, pavarësisht se dorëheqjen e kishte dhënë para se të kandidonte në këto zgjedhje.

Po ashtu, në fund të qershorit, Ilir Meta ktheu mbrapsht edhe ligjin e ri për “shërbimin përmbarimor gjyqësor”, duke shënuar kështu një periudhë kohore, që ai nuk po pranon asnjë ligj që kalon mazhoranca në Kuvend, megjithëse kjo mbetet një betejë, e cila shkakton vetëm vonesa procedurale. Në çdo rast komisioni i ligjeve ka kërkuar që Presidenti Meta të paraqitet për të dhënë argumentet e tij, por ai ka refuzuar, kështu që komisioni i ligjeve i ka rrëzuar mosdekretimet e kreut të shtetit.

Megjithatë, kjo “luftë” e kreut të shtetit mund të shkaktojë edhe pasoja, pasi duke u konsideruar më shumë si një përplasje politike mes tij dhe mazhorancës, vërejtjet konkrete për ligjin mund të kalojnë në plan të dytë. /realstory.al



Skip to toolbar