Të mbetur pa asnjë pushtet, Basha, 40 minuta konsultë me Metën

AKTUALITET


Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka nisur mëngjesin e së martës me një takim kokë më kokë me presidentin Ilir Meta në presidencë.

Takimi raportohet të ketë zgjatur rreth 40 minuta, ndërkohë që nuk ka asnjë njoftim zyrtar si nga PD ashtu edhe nga presidenca.


Mendohet se Basha dhe Meta kanë diskutuar për situatën politike në vend, ku që të dy duken se kanë dalë jashtë sistemit, ose siç tha kryeministri Rama të hënën “opozita është drejt vet eliminimit”.

“Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën, pasi opozita është në kapacitete të plotë për t’u vetëeliminuar dhe procesi i degradimit vijon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë dhe qorrazi dhe çdo ditë hedhin nga një hap”. Kështu u shpreh të hënën kryeministri Edi Rama kur u pyet për planet e tij për opozitën.

Nga njëra anë, presidenti është në prag të shkarkimit dhe e vetmja gjë që i ka mbetur të bëjë është kthimi mbrapsht i ligjeve në Kuvend, akte që s’kanë asnjë vlerë, pasi PS ka maxhorancën dhe voton  lehtësisht kundër dekreteve të Metës. Pra çdo akt i presidentit për maxhorancën nuk ka asnjë rëndësi përsa kohë ka shumicën e numrave në Kuvend.

Nga ana tjetër, Basha është pa asnjë pushtet, për shkak të vendimeve të gabuara që nisën që me djegien e mandateve të deputetëve dhe braktisjen e parlamentit, dhe vazhdan me refuzimin për t’u futur në garën e 30 qershorit. Por kreu i demokratëve ndodhet në një situatë akoma më të vështirë pasi tani gjendet në qendër të kritikave brenda partisë së tij. Fakti që ai e la PD-në pa pushtet duke e nxjerrë përfundimisht në rrugë, jashtë çdo sistemi, ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij në krye të partisë. Për këtë arsye ai ka nisur një tur takimesh në strukturat e PD-së në rrethe, për të konfirmuar veten duke iu gjendur pranë kryebashkiakëve të djathtë të cilët i nxit të qëndrojnë në zyrë në kundërshtim të hapur me ligjin, dhe me thirrjen e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të ambasadës së SHBA e cila e tha qartë se të zgjedhurit e rinj vendorë duhet të nisin punën, ndërsa ata që kundërshtojnë zgjedhjet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Siç duket, si Basha ashtu edhe Meta, të gjendur në këto kushte, pa pasur asgjë në dorë për të ndryshuar fatet e tyre politike, janë takuar dhe kanë biseduar mëngjesin e së martës për hapat e mëtejshëm që pritet të marrin. Meta vazhdon të kujtojë herë pas herë dekretin për 3 palë zgjedhje në 13 tetor, por kjo datë nuk është marrë në konsideratë as nga Basha. Ky i fundit zyrtarisht thotë se ka nisur të përgatitet për zgjedhjet të parakohshme, opsion ky  që nuk pranohet kurrsesi nga maxhoranca./Realstory.al




Skip to toolbar