Të gjithë prisnim Presidentin Meta të dilte të enjten pasdite në një konferencë për shtyp. Por si duket i sëmurë siç tha se ishte dy ditë me herët dhe i “lodhur” nga biseda misterioze me ambasadoren amerikane, ai vendosi të bënte vetëm një reagim në distancë ku bëri thirrje për reflektim “nga të gjitha palët”. Në konferencë për shtyp ai nxori këshilltarin e tij juridik Bledar Dervishaj, duke i dhënë kështu komunikimit më median një karakter teknik dhe ulur nivelin e saj. Por befasia qëndron në faktin se megjithëse teknik, këshilltari juridik i presidentit mbrojti dekretin e shfuqizimit (detyrë e tij), por me argumenta të pavërteta.
Duke mbrojtur dekretin e presidentit ai tha se Kodi Zgjedhor thotë se “të zgjedhurit e këshillave bashkiakë qëndrojnë në detyrë, derisa në ditën kur vijnë të zgjedhurit e rinj”. Më pas ai shtoi: “Po kështu kjo vlen edhe për kryetarët e njësive vendore”.
Por si është e vërteta? Për këtë mjaft të konsultosh Kodin Zgjedhor neni 10, pika 2 për të zgjedhurit lokale. Ai thotë: “2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Realstory disponon kopjen e vendimit të KQZ, të 10 gushtit 2015, për zgjedhjet vendore të vitit 2015 (shih linkun). Sipas kodit, bazuar në këtë vendim të KQZ, mandati I të zgjedhurve lokale, mbaron në 10 gusht 2019. Pra nuk qëndrojnë deri në ditën kur hyjnë në zyrë të zgjedhurit e rinj.
Kjo është gënjeshtra e parë. Por këshilltari juridik i presidentit zoti Dervishaj tha në konferencë për shtyp një tjetër të pavërtetë, sa i përket afatit të shpalljes së dekretit për datën e re të zgjedhjeve, duke deklaruar se data do të jetë e afërt, po ashtu edhe koha e dekretit.
Por çfarë thotë neni 9 i Kodit Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve?
“Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit… Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit.”
Neni 10 i Kodit Zgjedhor që flet për caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore thotë se edhe për datën e zgjedhjeve lokale aplikohet të njëjtat rregulla si në pikat 1 dhe 2 të nenit për zgjedhjet lokale: “1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi”.
Pra në bazë të Kodit, data e zgjedhjeve vendore nxirret jo më vonë sesa 9 muaj nga data e mbarimit te mandatit të të zgjedhurve vendore. Presidenti Meta ka qenë korrekt kur shpalli dekretin për datën 30 qershor. Ai e shpalli atë ne 5 nëntor 2018, nëntë muaj pa 5 ditë para mbarimit të afatit të të zgjedhurve vendor, duke respektuar kodin zgjedhor dhe kushtetutën. Por çfarë tha këshilltari i tij juridik Bledar Dervishaj në konferencë për shtyp? Se Presidenti do te nxirrte se shpejti dekretin e ri, dhe në një datë të afërt me 30 qershorin? Edhe sikur të shpallë datë të re për shembull 7 korrikun (si data më e afërt me 30 qershorin) ai do të shkelte afatin kushtetues me 8 muaj.
Dhe kjo është gënjeshtra e dytë e këshilltarit të presidentit. I cili nuk është as këshilltar politik, dhe as mediatik. Ai është aty për t’i thënë shefit të tij të mos gabojë, ose së paku ti thotë se kur gabon. Por që një jurist që paguhet nga paratë e taksapaguesve në institucionin më të lartë të shtetit, është gabim i rëndë.
Gjithsesi këshilltari i Metës tha një të vërtetë. Ai tha se dekreti i ri do të dalë pas negociatave mes palëve dhe marrëveshjes eventuale mes tyre. Por prapë këtu bëri një “gabim”: nxori gënjeshtar shefin e tij, që një ditë më herët deklaroi me zë të fortë se nuk do priste dakortësinë e PS, për të nxjerrë një datë të re zgjedhjesh.
Ndoshta ndaj dhe Meta zgjodhi të mos dilte vetë. Burri që është burrë, nuk gënjen kurrë. Por nëse gënjen, nxjerr këshilltarin që të pranojë gabimin. /realstory.al