Kufijtë i ndryshojmë me Vuçiçin, por drekë me të në Tiranë nuk hamë!

OPINION


Nga Skënder Minxhozi

Refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e radhës të Mini-Shengenit ballkanik në Shqipëri, po krijon një dallgë artificiale protestash, të nxitura nga pretendimi se ky projekt dëmton interesat e shtetit kosovar dhe të të gjithë shqiptarëve. Mbështetësit e kësaj teze nuk merakosen aspak për përmbajtjen dhe peshën reale të nismës shqiptaro-serbo-maqedono-malazeze, për të nxitur hapjen e kufijve, e stimuluar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitaleve e tregut të punës.

Vala e protestave, të cilat i ngjajnë një patriotizmi patetik të një kohe tjetër, dëshmon vetë shkallën e manipulimit politik që po mvesh këtë nismë, më shumë sesa influencën e saj reale në punët e Ballkanit Perëndimor. Refuzimi i palës kosovare për t’u bërë pjesë e “Mini-Shengenit’, përtej faktit që e ka bazën tek dinamikat e brendshme të politikës kosovare, ka krijuar një klimë artificiale tensioni në botën shqiptare, a thua se Rama dhe liderët e vendeve të tjera ballkanike morën laps e letër dhe hodhën në erë interesat e shqiptarëve për pjesën e mbetur të shekullit 21!

Meqë jemi tek lapsi e letra, tingëllon shumë hipokrite dhe e pabazë të thuash sot se nuk ulemi në tryezë me Aleksandër Vuçiç, por ama kemi negociuar me të për muaj e muaj pas perdeve, projektin e “korrigjimit kufitar”. Kufijtë i ndërrojmë me serbët, por dorën s’ua japim se na duket tradhti kombëtare!

Sot sfida e Kosovës është të integrohet në sistemin ndërkombëtar. Ky është vektori i lëvizjes, përfshirja e shtetit të ri kosovar në tryezën e institucioneve e organizmave, e jo nxjerrja edhe e Shqipërisë nga ky sistem bashkëpunimi. Sa për Mini-Shengenin, le të kujtojmë se nisma të tilla Ballkani, Mesdheu, Deti i Zi e Europa Qendrore, numërojnë një dyzinë e më tepër. Mospjesëmarrja në këtë rrjet bashkëpunimi nuk i bën mirë as Shqipërisë, as Kosovës. Siç ndodhi në samitin e SEECP në Bosnje muaj më parë, kur Rama dezertoi takimin për mospërfshirje të Kosovës, dhe vendin e tij e zuri me të drejtë Presidenti Meta.

Mini-Shengeni, siç e thotë edhe vetë togëfjalëshi, është shumë i vogël, për të shitur a blerë interesat e shqiptarëve, serbëve, malazezë e maqedonasve. Edhe më i vogël e meskin është koncepti se ky format është e keqja absolute, hapi fatal që do të na marrë në qafë të gjithëve si komb.

Djalli është më pak i zi seç duket. Për faktin e thjeshtë se është një “djall fukarenjsh” ballkanikë që bëjnë vetëm foto me njëri-tjetrin, ndërkohë që vendimet i merr tjetërkush, shumë larg rajonit.



Skip to toolbar