Kukësi ‘zhyt’ Flamurtarin, Shkurtaj shënon dygolësh, debuton Abazaj

SPORT


Kukësi ka fituar 3-0 në transfertën ndaj Flamurtarit në Vlorë, duke marrë tre pikë të plota dhe si pasojë duke u ngjitur në krye të renditjes së bashku me Skënderbeun. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk e ka pasur të vështirë të fitojë ndaj një Flamurtari krejtësisht të ri dhe të pakonsoliduar. Në minutën e 24 të takimit, Vasil Shkurtaj ka gjetur rrjetën, pas një pasigurie në mbrojtje të Flamurtarit.

I vetëm me portierin Moçka, shtatlarti i verilindorëve ka shënuar golin e parë të ndeshjes. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, ndonëse Kukësi mund të kishte shënuar dhe më shumë, nëse nuk do të kishte shpërndoruar disa raste. Megjithatë, në minutën e 63` të pjesës së dytë, Shkurtaj ka shënuar përsëri nga brenda zonës, pas një asisti të dhënë nga Maliqi.


Dy minuta më vonë për Kukësin ka debutuar dhe futbollisti i kombëtares, Kristal Abazaj. Sulmuesi është futur në lojë dhe është bërë protagonist. Nga këmbët e abazajt nisi autogoli i Flamurtarit në minutën e 72. Në krahun e majtë të fushës, Abazaj provon një krosim, ndërsa Olsi Gocaj në tentativë për të larguar e shtyn drejt rrjetës. Me rezultatin 0-3, Kukësi vulos tre pikët e radhës, duke u konfirmuar si pretendent këtë sezon për titullin kampion, pasi në ndeshjen hapëse të kampionatit mundi Partizanin.




Skip to toolbar