Kulluri: Marrëveshja me Ramën, nuk e nxjerr Bashën nga gremina

AKTUALITET


Përfaqësuesi më i ashpër i lëvizjes “Basha IK”, Edvin Kulluri ka komentuar zërat (veçanërisht të aleatëve) për një marrëveshje të re mes Ramës e Bashës dhe thotë se kjo marrëveshje nuk e nxjerr PD-në nga gremina në të cilën e hodhi Luli.

Në një analizë që i ka bërë situatës politike në të cilën ndodhet PD aktualisht, Kulluri shkruan se ajo është më keq se në vitin 2003. Në atë kohë, shkruan Kulluri, PD nisi të hapej dhe të përmirësonte marrëdhëniet me median dhe me ndërkombëtarët, ndërsa sot Basha harton lista të zeza mediash dhe ndërkombëtarët i ka të gjithë kundër.

“2 muaj e gjysëm pas zgjedhjeve pa opozitën, e 1 muaj pas dorëzimit të bashkive të djathta tek kryetarët dhe këshilltaret e rinj të bashkive (përjashto kryetarin e bashkisë Shkodër) lidershipi i PD ka nisur fushatën “të mbështesim integrimin europian! E jo vetëm kaq, por po flitet dhe për një marrëveshje me Edi Ramën. Me 13 tetorin që është larguar përfundimisht nga ëndrrat e dëshpëruara, duket se opozita zyrtare e jo populli opozitar që nuk e pyet kush, po përjeton një shkallë të re “optimizmi”. Që buron vetëm prej absurdit se prej fakteve duhet të kishin marrë valixhet e të ishin fshehur në skutat e dështimit! Dikur andej nga viti 2003 Preç Zogaj thoshte me shaka se “nga dështimi në dështim do shkojmë drejt fitores”!

Një shaka e hidhur por e vërtetë për shkak se opozita megjithë goditjet në zgjedhjet e 2001 dhe sidomos 2003 në Tirane dhe Durrës, po rritej elektoralisht, po zgjerohej politikisht dhe po rifitonte besimin e humbur në publik. Rikthimi i themeluesve dhe flukseve të tjera që ishin larguar duke e rrudhur PD, pasurimi i ri që pritej me KOP dhe komunikimi progresiv me akademikët dhe shoqërinë civile apo raportet në përmirësim me mediat dhe sidomos komunitetin ndërkombëtar, po mbyllnin ciklin e humbjeve për t’i hapur rrugë fitores së 2005! Sot jemi pikërisht në vitin e 6-të opozitës dhe ndodhemi në tendencë të kundërt me 2003! Jashtë parlamentit, jashtë pushtetit lokal, me një PD të përçarë, me lista armiqësore mediash të zgjatura dhe me ndërkombëtarët të vendosur në bllok për të ndëshkuar si asnjeherë më parë sjelljen Donkishoteske të bojkotit dhe djegies së mandateve!”, shkruan Kulluri.

Ai shton se Basha qëndron në krye të PD-së, për shkak të atyre që ende e shohin kryetarin që dështon çdo ditë, si të gjithditshëm dhe fuqiplotë, mbetje këto lindore dhe totalitariste. Ai apelon për ndryshime në lidershipin e PD-së, ndërsa shkruan se një marrëveshje e re mes Ramës e Bashës nuk e ndihmon PD të dalë nga gremina.  

“Historia nuk përsëritet njësoj siç pretendojnë të majtët ekstreme, por gjasat janë që opozita të rrugëtojë më e çorientuar se kurrë. E vetmja gjë që e mban gjallë është ende besimi “mistik” i një pjese të popullit opozitar që e sheh liderin me dështimet si të gjithëdijshëm dhe fuqiplotë! Remineshencë lindore dhe totalitariste! Ndaj po të fliste Preçi edhe njëherë, kam frike se do thoshte “nga dështimi në dështim kemi rënë në gremine”! Dhe një marrëveshje pa dinjitet pavarësisht nga përmbajtja do ishte “litari i këputur” për të dalë nga gremina!”, shkruan Kulluri.



Skip to toolbar