‘Basha ik’, Elezi: Ta largojmë me garë

AKTUALITET


Zërat kundër Lulzim Bashës janë shtuar brenda Partisë Demokratike. Realstory.al mësoi ekskluzivisht se në shtator, nis lëvizja “Basha ik” (lexo këtu lajmin). Shumë ish demokratë në nivele të larta drejtuese në këtë parti, tashmë kanë dalë hapur kundër kreut aktual të PD. Jozefina Topalli ishte e para, që kërkoi largimin e Bashës fill pak orë pas mbylljes së procesit zgjedhor të 30 qershorit (lexo këtu), ndërsa më pas dolën me radhë shumë ish-drejtues të PD, si Edvin Kulluri, Arben Imami, Ibsen Elezi, Arben Ristani etj.

Ndërkohë, lëvizja “Basha ik”, pritet të mos shoqërohet thjesht me një proces-kërkese për largimin e kryedemokratit, por me një tjetër proces, atë të reformimit total të Partisë Demokratike. Ibsen Elezi, në një koment të gjatë në rrjetet sociale, shkruan se është “kundër” dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi sipas tij, dorëheqja nuk është e parashikuar në Statutin e PD, ndërsa nëse do të vinte si ndienjë e vetë Bashës, do të ishte tjetër gjë. Megjithatë, për Ibsen Elezin, ish-kryetar i PD në Kukës, Basha nuk është fajtori i vetëm, por gjithë grupi që e ka mbështetur.  


“Të veçosh Bashën si fajtorin e vetëm që duhet kryqëzuar, nuk ëhstë burrnore, është tipar i trashëguar nga komunizmi të gjesh armikun dhe jo të zgjidhësh problemin. Basha nuk është i vetëm, ai përfaqëson një grup me pikëpamje të deklaruara dhe të fshehura. Pra problemi me Bashën nuk është çështje individi, por çështje grupi dhe pikëpamjesh. Dorëheqja e tij nuk do ishte zgjidhje, por zanafilla e një rruge tjetër pa krye”, shkruan Elezi. Por cila është zgjidhja? Sipas ish-kryedemokratit të Kukësit, zgjidhja është mbledhja urgjente e Këshillit Kombëtar të PD-së nga kryetari i tij, Bujar Nishani, dhe nisja e një procesi analize dhe vlerësimi, për dy dështimet e mëdha të aksionit opozitar të Partisë Demokratike, dorëzimin e mandateve dhe bojkotin nga 30 qershori.

Në këto kushte, pas analizës, PD duhet të zhvillojë zgjedhjet për votëbesimin e lidershipit nga anëtarësia. “Dështimi i dy aksioneve të fundit politike: dorëzimi mandateve dhe rrëzimi qeverisë me 1 protestë të pandërprerë; zgjedhjeve të 30 qershorit të pasuara me dhënien në tavolinë të 61 bashkive, detyron urgjent Këshillin Kombëtar (Bujar Nishani si drejtues i tij) që të kërkojë proces analize dhe vlerësimi, duke konluduar në dështimin e dy aksioneve politike dhe hapjes së një procesi votëbesimi të lidreshipit nga anëtarësia”, shkruan Elezi, ndërsa shprehet se Basha duhet të jetë pjesë e procesit të garës në zgjedhjet e brendshme të partisë.




Skip to toolbar