Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar zyrtarisht se do të udhëtojë mbrëmjen e së premtes drejt Tiranës, ku më pas do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Kur u pyet nga mediat kosovare se çfarë do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Kurti tha se pjesë e bisedës do të jenë shumë tema të rëndësishme, por zgjodhi të mos i specifikojë ato.
“Sonte do shkoj në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Tiranë, e ku jam ftuar, dhe e cila zgjat përgjatë fundjavës dhe në të njëjtën kohë do të takohem me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, tha ai, ndërsa pyetjes se cila do të jetë tema që do të diskutoni ai iu përgjigj shkurt dhe pa detaje “Shumë gjëra do të diskutojmë”. Një ditë më parë Albin Kurti zhvilloi një vizitë në Gjermani, ndërsa pati takime të rëndësishme me personalitete të fushës së politikës. Ai theksoi se Kosova do të forcojë më tej bashkëpunimin me Gjermaninë në disa fusha.
Ndërsa kryeministri Rama është shprehur më herët në Real Story se është i vendosur për mini-schengen, ndërkohë që do i propozojë Kurtit për të rritur bashkëpunimin mes dy qeverive, ide që është mirëpritur nga Vetëvendosja. Vizitën në Tiranë, Albin Kurti e njoftoi para disa ditësh në Real Story, por i pyetur nga gazetari Balla nëse do të takohej me Ramën, ai e shmangi përgjigjen dhe duke qeshur tha se “do zhvillonte disa takime”, por pa e përmendur kryeministrin.