Reforma zgjedhore, Greminger: Ndihmë për dialogun, por nuk marrim vendime

POLITIKË


Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Thomas Greminger i bëri të qartë të gjitha palëve politike se OSBE mund të ndihmojë në lehtësimin e dialogut mes tyre, por nuk mund të marrë vendime politike. Greminger deklaroi se OSBE mund të jap ndihmën e saj në ekspertizë teknike, lehtësim dialogu apo angazhimet që kanë shtete pjesëmarrëse në këtë organizatë, por nuk mundet kurrsesi të marrë vendime politike apo të vendosë se cili sistem zgjedhor i duhet Shqipërisë. Greminger tha se këtë gjë e ka theksuar edhe në takimet që ka mbajtur me përfaqësuesit politikë.

OSBE mund të lehtësojë dialogun mes palëve, por nuk mund të marrë vendime politike. U kam thënë të gjitha bashkëbiseduesve të mi se çfarë OSBE mund dhe nuk mund të bëjë. OSBE në thelb mund të bëjë tre gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Këtë mund të bëjmë. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht. Ajo që nuk mund të bëjmë është të zgjedhim sistemin që ky vend dëshiron, por mund të sjellim ekspertizë e të lehtësojmë dialogun. Po sigurisht jam i vetëdijshëm që ka dy aspekte. Ajo që konsiderohet si reformë elektorale, ka kundërshti sa i përket rekomandimeve se si duhen implementuar, ka diskutime mbi sistemin elektoral, nuk është në dorën tonë, kjo është në dorën e aktorëve politikë të këtij vendi për të mbështetur procese të tilla”, tha Greminger.


Këto deklarata u bënë gjatë një konference të përbashkët që Greminger mbajti me ministrin e Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj. Ministri Cakaj gjatë fjalës së tij nënvizoi se siguria e Europës dhe Mesdheut janë të pandashme dhe se bashkëpunimi me partnerët e Mesdheut dhe OSBE-së duhet të ketë një hapësirë më të madhe dhe më të rëndësishme.

Greminger mbajti më herët edhe një takim edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili i kërkoi OSBE-së rolin e ndërmjetësuesit në dialogun politik me Ramën jashtë parlamentit.




Skip to toolbar