Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën mbrëma se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë në një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin, nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë.
Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale pas një bisede telefonike me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. “Ia transmetova qëndrimin tonë: serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, shkroi ai.
Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të Serbisë për t’u afruar me strukturat evropiane. Zyrtarë të BE-së thonë se ndryshimet kushtetuese të Serbisë duhet të sigurojnë një gjyqësor i pavarur, pa ndikime politike.
Beogradi synon që në referendum të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se moslejimi i mbajtjes së referendumit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë “do ketë pasoja afatgjate përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar”.
Beogradi u ka bërë thirrje diplomatëve perëndimor që të ushtrojnë ndikim mbi Prishtinën dhe i ka kërkuar Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që të trajtojë referendumin njësoj sikurse është vepruar me votimet për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë, në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.
Autoritetet në Prishtinë thonë se Serbia do të duhej të ndryshonte kushtetutën e saj për të hequr nga hyrja në të cilën thuhet se Kosova “është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.
Në vitin 2015, Aleksandër Vuçiç, ndërsa shërbente në postin e kryeministrit të Serbisë, i kishte thënë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.
Paralajmërimi që nuk u zbatua kurrë, ishte pjesë e përpjekjeve të Serbisë për të përshpejtuar procesin e integrimeve evropiane.
Ajo hapi negociatat për anëtarësim me BE-në pas marrëveshjeve të arritura në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në vitin 2013, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Ndonëse nuk e kanë vënë si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës, diplomatët evropianë kanë përsëritur qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Serbia po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë. Ajo ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë me të cilën vazhdon të ruajë lidhjet të ngushta, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.