Prokurori Altin Dumani deklaroi para Këshilli të Lartë të Prokurorisë se synimi i tij si drejtues i ardhshëm i SPAK është që të ndëshkohet cilido person që shkel ligjin, pavarësisht postit që mban. Altin Dumani është i pari që i nënshtrohet procesit të intervistës para KLP-së, pasi kandidon për postin e kryetarit të SPAK. Në garë për këtë post janë edhe prokurorët Arben Kraja dhe Edvin Kondili të cilët do t’i nënshtrohen intervistës fill pas Dumanit.
“SPAK do të jetë një strukturë e aftë, e besueshme nga shqiptarët. Përgjegjshmëria në trajtimin e çështjeve është thelbësore për SPAK. SPAK do të bëjë të mundur që çdokush që ka shkelur ligjin, kushdo qoftë ai do ndëshkohet. SPAK do të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin. SPAK do të bëjë të mundur një Shqipëri se cilido që do të kryejë një krim do të ndëshkohet pavarësisht pozitës”, tha Dumani në fjalën e tij.
Ai gjithashtu premtoi nisjen e menjëhershme të punës për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të cilën tha se do të shërbejë si mushkëri për SPAK.
“Do godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin. Dështimi nuk do të jetë opsion për SPAK. Në javën e dytë të punës do të hap procedurën për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi BKH do të jetë si mushkëri për SPAK. Puna jonë do të vështirësohet pa BKH-në. Do synojmë thithjen në administratën e SPAK të punonjësve të kualifikuar por duhet të joshen me paga të mira. Nga bisedat që kemi pasur me përfaqësues të administratës publike na është premtuar se pagat do të jenë në nivel të kënaqshëm. Suksesi i SPAK lidhet me suksesin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ne mendojmë se ka njerëz që duan të kontribuojnë”, tha Dumani.