Kushtetuesja, 9 kandidatë apeluan KED, 7 u rrëzuan. Arsyet e përjashtimit

#NËRADAR


Pothuajse gjysma e kandidatëve që nuk janë lejuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të vijojnë garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese kanë kërkuar lejimin për kandidim nga Apeli Adminsitrativ i Tiranës, por vetëm Zhaklina Peto ka arritur të triumfojë kundër KED, pasi 7 prej tyre janë rrëzuar, ndërkohë që ende nuk është marrë vendimi për një kandidat tjetër.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Realstory.al rezulton se 20 kandidatë nuk janë lejuar për kandidim nga ana e KED. Nga këta 20 kandidatë, 8 prej tyre nuk kanë qenë dakord me vendimin e KED për ndalimin e tyre për kandidim, kështu që i janë drejtuar Gjykatës së Apelit Administrativ për kundërshtimin e vendimit.


Konkretisht, i pari që i është drejtuar me kërkesë Apelit është Kristaq Traja, i cili u ndalua nga KED për të vazhduar garën, pasi u konstatua se nuk kishte dorëzuar pranë ILDKPKI brenda afatit 15 ditor deklaratat e plotësuara të pasurisë. Në këto kushte, Traja ka kërkuar që më 21 maj rrëzimin e vendimit të 14 majit 2019 të KED dhe detyrimin e ILDKPKI të vijojë procedurat e kontrollit të saktësisë dhe të vërtetësisë së deklarimit të tij. Por, më 29 maj, Apeli Administrativ ka vendosur rrëzimin e padisë. Konstitucionalisti Traja ka qenë një ndër ekspertët e reformës në drejtësi, ndërsa më herët ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Po kështu konsitucionalisti ka qenë përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut për 10 vite radhazi dhe ish-zëvendësministër i Drejtësisë në vitet 1992-1993, si dhe ish-rektor i një universiteti privat.

I dyti është avokati Vasil Bendo, i cili u ndalua për kandidim nga KED më 14 maj, pasi në vendimin e saj u konstatua se nuk kishte dorëzuar pranë ILDKPKI brenda afatit 15 ditor deklaratat e plotësuara të pasurisë. Ai apeloi shfuqizimin e vendimin dhe rivendosjen në afat për paraqitjen e deklaratës së pasurisë për shkak të llogaritjes ose interpretimit të gabuar të afatit ligjor 15-ditor, por më 31 maj, kërkesa e tij u rrëzua nga gjykata.

Ndërsa e treta në listë është Zhaklina Peto, e cila ka fituar betejën ligjore me KED, siç është raportuar më herët edhe nga Realstory. Sipas vendimit të zbardhur, Peto u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve.

Po ashtu, kërkesë kundër KED ka bërë edhe avokati Sinan Tafaj, kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, i cili ka kundërshtuar tre vendime të KED, për kandidaturat e tij, por më 22 Gusht, Gjykata e Apelit Administrativ i ka rrëzuar padinë si të pambështetur në prova dhe ligj. Në vendimin e zbardhur të KED, pasqyrohet se Tafaj ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor për të justifikuar burimet e ligjshme të pasurisë së tre personave huadhënës prej të cilëve ka përfituar hua në vlerën rreth 60 mijë euro, nga 20 mijë prej secilit. Gjithashtu, KED konstaton se ai nuk ka respektuar ligjin lidhur me detyrimet për deklarimin e të ardhurave, ndonëse të verbrit përjashtohen nga detyrimi i pagesës së taksave dhe tatimeve të caktuara nga ligji. Gjithashtu, KED ka gjetur se Tafaj nuk ka paraqitur dokumentacion provues lidhur me përfitimin e shumës 354 euro në muaj nga shteti spanjoll, me statusin për jetë të pavarur për afro 10 vjet.

I pesti në listë është gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili ka kundërshtuar vendimin e KED, duke apeluar më 13 gusht 2019, si të pabazuar në ligj e në prova, por që më 20 gusht, gjykata ka vendosur rrëzimin e padisë. Bekteshi, i cili është gjyqtar në Durrës, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 26 prill 2019. Ndërsa, KED në vendimin e saj, ka konkluduar se ai figuron të ketë qenë hetues në një dosje për një të pandehur me akuzën Agjitacion dhe Propagandë Armiqësore Kundër Shtetit në vitin 1990 dhe se vepra penale objekt hetimi konsiderohet si krim politik. Ky informacion i zbuluar nga KED mund të jetë shkak edhe për Komisionerin Publik që të apelojë vendimin e KPK-së.

I gjashti në listë është juristi Dedë Kasneci, i cili ka paditur KED, por më 20 gusht , Gjykata e Apelit Administrativ ka vendosur rrëzimin e padisë së tij. Në vendim, KED konstaton se nuk ka ushtruar për të paktën 15 vjet veprimtari profesionale nga ato të parashikuara si kusht për lejimin e kandidimit për në Gjykatën Kushtetuese.

I shtati është gjyqtari Petrit Kaja, i cili në kohën e Nishanit ka kandiduar për Gjykatën e Lartë, por ai ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai ka kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të KED më 13 gusht, por gjykata ka rrëzuar padinë e tij. Në vendimin e KED konstatohet se Kaja ka mungesë dokumentacioni për të justifikuar burimet e të ardhurave prej 4 milion e 400 mijë lekë të reja, me të cilat ka realizuar rikonstruksionin e shtëpisë.

Po ashtu, padi në Gjykatën e Apelit Administrativ, më 16 gusht ka bërë edhe avokati Gëzim Allaraj, për të cilin ende nuk është marrë vendim. Në vendimin e KED deklarohet se ai nuk ka bërë deklarimin e të ardhurave brenda afatit ligjor prej 15 ditësh, ndërsa vihet re se ka edhe mungesë dokumentacioni për një truall të blerë në vitin 2003 pa akt noterial.

I nënti është gjyqtari Prel Martini, i cili ka qenë ndër të larguarit e parë nga KED, i cilësuar si i tërhequr nga gara, pasi ai nuk është paraqitur dhe nuk është arritur të kontaktohet as në adresat e vëna në dispozicion prej tij. Pikërisht më 5 qershor 2019, KED ka marrë vendimin e tërheqjes së Prel Martinit, por që ky vendim është kundërshtuar më 20 qershor nga ana e tij. Më 9 korri, gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit. Martini ka qenë Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër për pesë vjet, Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë për pesë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.

Tashmë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të marrë në shqyrtim sërish rastin e Zhaklina Petos dhe të presë vendimin e Apelit Administrativ për Gëzim Allarajn. Nëse edhe Allaraj do të bindë gjykatën, atëherë emrat e tyre mund t’u shtohen kandidatëve që tashmë janë përzgjedhur nga KED për t’u dërguar te Presidenti Meta dhe Kuvendi për plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese. / Realstory.al




Skip to toolbar