Kushtetuesja drejt krijimit, 124 dosje presin drejtësinë e re

POLITIKË


Gjykata Kushtetuese aktualisht është jashtë funksionit, pasi në përbërjen e saj ndodhet vetëm një anëtare, Vitore Tusha. Kjo për shkak të procesit të vettingut, ku një pjesë e gjyqtarëve të saj u shkarkuan  nga procesi i rivlerësimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, ndërsa një pjesë zgjodhi të jap dorëheqjen duke iu shmangur këtij testi të drejtësisë së re.

Që prej shkurtit të 2018, kur ka nisur procesi i vettingut, nën monitorimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, Gjykata Kushtetuese nuk është e aftë të marrë dot vendime dhe për këtë arsye numri i dosjeve dhe çështjeve për t’u gjykuar sa vjen dhe rritet.


Aktualisht numri i dosjeve që pritet për t’u rishqyrtuar me funksionin e saj është 124, ku aktualisht 8 çështje janë të mbartura nga viti 2017, 68 çështje janë të mbartura nga viti 2018 dhe pjesa tjetër janë dosje të 2019.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Shqiptarja.com se 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë, 83 kërkesa janë kundër gjykatave për proces të parregullt, nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Komisionit të Pavarur të Apelimit. Një kërkesë është paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës, 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm), 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve dhe 1 kërkesë për interpretim vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese pritet të jetë funksionale në fund të shtatorit dhe se  çështja e parë që pritet të shqyrtojë është ajo e shkarkimit të Presidentit Meta. Kreu i Shtetit akuzohet se ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës dhe për të është ngritur një komisionin hetimor si dhe është kërkuar një draft opinion nga komisionin i Venecias për të bërë interpretimin ligjor të vendimeve të Presidentit. Vendimi që do të paraqes ky komision do të çohet për miratim në Kuvend dhe në fund do i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për të thënë fjalën e fundit. Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të vendos për shkarkimin ose jo të presidentit Meta.

Më herët Meta ka deklaruar e nuk i trembet shkarkimit dhe se ka respektuar Kushtetutën me çdo dekret të tij, por shtoi se do të jap dorëheqjen nëse në raportin e Komisionit të Venecias thuhet se ai ka kryer shkelje të Kushtetutës.




Skip to toolbar