Balla: Ka ende prokurorë në bandat e KÇK

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla tha gjatë fjalës në Kuvend se para Krishtlindjeve Kuvendi do të ketë plotësuar vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se brenda një afati 30 ditor Kuvendi do të shqyrtojë kandidaturat për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi që Kuvendi ta ezaurojë këtë të drejtë kushtetuese para Krishtlindjeve, duke kërkuar që të njejtën gjë të bëjë edhe Presidenti. “Para krishtlindjeve do ishte mirë që kuvendi të plotësonte vendet për gjyqtarë në Kushtetuese, sikurse dhe presidenti i republikës duhet të veprojë sipas kushtetutës, brenda afateve për kërkuara”, tha Balla.

Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit të PS, u ndal edhe në procesin e vettingut si pjesë e reformës në drejtësi. Ndërsa vlerësoi ecurinë e këtij procesi, për një drejtësi të pavarur, Balla theksoi se ka ende prokurorë e gjyqtarë që e dinë që nuk e kalojnë dot procesin dhe janë bërë pjesë e asaj bande të papranueshme “KÇK” (kap ça të kapësh), të denoncuar më herët nga Rama.

“Nuk besoj ka deputet në këtë sallë që të mos vlerësojë se procesi i vetingut po ecën në mënyrë të shkëlqyer, që nga 190 prokurorë e gjyqtarë që kanë kaluar deri më sot, çdo ditë kalon nga një sot përsëri siç njoftojnë edhe mediat, kemi një numër të konsiderueshëm që nuk e kanë kaluar vettingun. Dhe kjo tregon sa e thellë paska qenë kriza e sistemit të vjetër të drejtësisë, mungesa e pastërtisë së figurës, mungesa e referencës së të ardhurave, e padyshim ka plot raste KPK apo KPA që kanë konsideruar se prokurori e gjyqtari nuk ka përgatitjen e nevojshme për të dhënë drejtësi në këtë vend. Kush u mundua të pengojë reformën në drejtësi e ka marrë sot mesazhin e qartë nga suksesi i këtij procesi, i cili është vetëm në fillim të vet. Ka ende prokurorë e gjyqtarë që e dinë që se kalojnë dhe janë bërë pjesë e asaj bande të papranueshme KÇK që duhet gjetur mekanizmi për ta parandaluar. Por, procesi i vettingut është garancia që Shqipëria europiane është në drejtimin e duhur, sa i përket një sistemi drejtësie të pavarur”, u shpreh Balla.

Më herët Rama denoncoi bandën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar të cilët nuk e kalojnë dot vettingun duke e emërtuar atë si banda KÇK. Pjesë e kësaj bande sipas Ramës, i cili ishte i pari që e denoncoi, është edhe prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, ndaj të cilit u bë një atentat me armë zjarri vetëm disa ditë më herët. Ai ishte në makinë me një person me precedentë penalë, duke vërtetuar në këtë mënyrë deklaratat e Ramës se prokurori bashkëpunon me krimin.



Skip to toolbar