Kushtetuesja, Lami: Vetëm ndërkombëtarët mund t’i japin zgjidhje

POLITIKË


Përplasja lidhur me emërimin e dy emrave për një vakancë të Gjykatës Kushtetuese, ku Arta Vorpsi betohet te Noteri dhe Marsida Xhaferllarit te Presidenti, sipas të ftuarve në studion e emisionit “Real Story” është një shkelje Kushtetuese tepër e rëndë sa nuk mund të ketë më zgjidhje juridike apo kushtetuese.

Sipas politologut, Roland Lami ky ngërç dhe shkelje jashtë çdo imagjinate mund të zgjidhet vetëm nga faktori ndërkombëtar. Lami tha në emisionin “Real Story” në News 24 se ky rreth vicioz i krijuar mund të zhbllokohet vetëm nga ndërkombëtarët. “Në të gjithë këtë situatë, ka çarje kushtetuese nga të gjithë aktorët e përfshirë në proces. Veç faktorit ndërkombëtar nuk ka asnjë tjetër që ta zhbllokojë këtë situatë. Jemi futur në një rreth vicioz që lindi politikisht për t’u zgjidhur juridikisht, por që në fund finalizohet vetëm politikisht” tha Lami.

Ndërsa avokati Jordan Daci tha se vendimi i Arta Vorpsi për t’u betuar te noteri ishte absurd. Daci tha se ky është një akt që noterizon turpin, kurse shtoi se shpreson që kriza të mos shkojë edhe më tej. “Unë e njoh personalisht dhe nuk njihja që Arta të shkonte në noteri. Nuk mund të kuptohet kjo situatë. Mund të jetë edhe dëshpërim, por është absurde situata. Është një akt që noterizon turpin dhe banalitetin e situatës ku ndodhemi. Kemi një shkelje të rëndë dhe të frikshme nga pikëpamja kushtetuese. Nuk justifikohet shkelja e Kushtetutës. Unë besoj se kemi një krizë të thellë. Zgjidhja politike që prevalon zgjidhjen kushtetuese është absurditet që nuk i shkon një shteti”, tha Daci.

Ndërsa për analistin Arian Vasjari kjo situatë nuk mund të ketë më një zgjidhje kushtetuese dhe se duhen gjetur opsione të tjera që të kenë të paktën një “mbulesë’ institucionale. “Kjo që po ndodh sot në Shqipëri nuk ka lidhje me vakumet, por është për shkak të situatës që ka shkaktuar politika. Kuvendi zgjodhi pa radhë dhe presidenti sot me betimin e tyre u bë pjesë e shkeljes së Kushtetutës. Ne nuk mund të kemi më në asnjë rrethanë një zgjidhje kushtetuese të krizës. Kushtetuta tashmë ka rënë dhe kjo krizë nuk mund të ketë me një zgjidhje kushtetuese. Prandaj duhet të gjendet një tjetër opsion apo zgjidhje, që të paktën të ketë një “mbulesë” institucionale. Reforma në Drejtësi mund të ketë vakume, por nëse nuk ka vullnet politik dhe moralitet kushtetues këto nuk mund të zgjidhen” tha Vasjari.



Skip to toolbar