“Dora ime është e shtrirë”, tha Rama mbrëmjen e së dielës në përfundim të procesit zgjedhor në një fjalim 30 minutësh drejtuar shqiptarëve nga selia e PS-së.
Jam gati për dialog me opozitën, tha ai, por ama e vuri një kusht, dhe është pikërisht ajo që përben thembrën e Akilit të protestave 5 mujore të opozitës: Reforma në Drejtësi.
E ndërsa ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunonte me PD-LSI për reformën zgjedhor dhe për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it dhe porosisë së Këshillit Europian, Rama theksoi qartë dhe prerë se Reforma në Drejtësi, jo vetëm që nuk negociohet por as që bëhet fjalë që të diskutohet.
“Ndërsa Reforma në Drejtësi jo nuk negociohet, po as nuk diskutohet. Vetëm mbështetet. Duhet të jetë shumë e qartë qysh sot për të gjithë, se unë nuk kam as disponimin më minimal, për asnjë pazar politik për të ndenjurat e politikanëve dhe për asnjë lloj marrëveshje për të penguar drejtësinë të merret me zullumet e kujtdoqoftë, djathtas apo majtas.
Borxhi ku e futi edhe më thellë sot shumicën tonë qeverisëse ky popull, edhe sikur ne të kthehemi në magjistarë, i gjithi nuk shlyhet dot kurrë, po një gjë është e sigurtë: Nga sot duhet dhe do të jetë më i qartë, më kumbues dhe më i përditshëm se kurrë, me vepra e jo vetëm me fjalë, mesazhi se jo ata që përfunduan në gropë pasi deshën të digjnin Shqipërinë për të hedhur në erë rrugën e negociatave me BE-në, po edhe kushdo që nën çatinë e shtëpisë së madhe të socialistëve e të progresistëve, mund të ketë apo do të ketë hesape me drejtësinë, nuk do të mbrohet, nuk do të justifikohet, nuk do të tolerohet për asnjë arsye në këtë botë, nga kjo parti!”, tha Rama.
Ai në fakt e ka bërë të qartë këtë gjë edhe gjatë protestave të vazhdueshme të PD-së të cilët artikulonin përgjimet, zgjedhjet, vjedhjen e votave por asnjëherë reformën në drejtësi. Vetë kryeministri ka thënë se protestat e PD-së janë si pasojë e frikës që ata kanë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, dhe me deklaratën e mbrëmshme ai dha fund çdo hamendësimi për marrëveshje për këtë çeshtje. Tani reforma është në duart e ndërkombëtarëve dhe politikanët tanë s’kanë asnjë mundësi për t’i prerë rrugën asaj. Në tetor Shqipëria duhet të japë prova konkrete se drejtësia funksionon vërtetë.