Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje zgjedhjeve të së dielës në Shqipëri ndërsa pothuajse të gjitha theksojnë se shqiptarët votuan në paqe pavarësisht bojkotit të opozitës.
Një artikull të veçantë i ka kushtuar zgjedhjeve gjigandi mediatik euronews i cili shkruan se “kutitë e votimit u mbyllën të dielën në mbrëje në Shqipëri, pas një ditë të qetë votimi, ku partitë e opozitës nuk morën pjesë. Asnjë incident nuk u raportua, megjithëse pati protesta me këngë të kohës së komunizmit”.
Në shkrim gjithashtu theksohet se BE dhe SHBA i kanë bërë apel partive që të shmangin dhunën gjatë zgjedhjeve në 61 bashkitë, ndërsa presidenti Ilir Meta i ka cilësuar këto zgjedhje jolegjitime për shkak se nuk ka konkurrencë të mjaftueshme.
Një artikull të gjatë i ka kushtuar zgjedhjeve në Shqipëri edhe britanikja Dailymail e cila shkruan se në përfundim të procesit të qetë zgjedhore të dy liderët kryesorë, si nga opozita ashtu edhe nga maxhoranca thanë në fjalimet e tyre se kjo ishte një ditë e suksesshme për partitë e tyre.
“Lulzim Basha, lideri i PD e interpretoi pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje si një triumf për opozitën. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 21.6%, krahasuar me 48% që ishte 4 vite më parë”, shkruan dailymail.
Ndërsa BIRN shkruan se opozita i ktheu protestat me molotov në protesta paqësore me këngë nga regjimi komunist.




