Kuvendi rikthehet të hënën, do miratojë ligjet që nuk dekretoi Meta dhe shkarkimin

POLITIKË


Me përfundimin e gushtit mbyllen edhe pushimet e Kuvendit, e kreu i saj nuk ka humbur kohë duke përcaktuar edhe të hënën e parë të shtatorit si startin e sesionit të ri Parlamentar.

Kuvendi ka bërë me dije dhe urdhrin e firmosur një ditë më parë nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për fillimin e punimeve plenare të sesionit të 5-të në Kuvendin e Shqipërisë më 2 shtator ora 18:00.


Të hënën nuk priten diskutime pasi në rend dite nuk ka projektligje, por parashikohet: Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend; Miratimi i Programit të Punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator – 18 tetor 2019; si dhe Miratimi i Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 2 -20 shtator 2019.

Shtatori është i rëndësishëm për shkak të përplasjes mes Presidentit dhe mazhorancës, ku kjo e fundit ka ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit. Gjithashtu, në javët e para të shtatorit pritet të shqyrtohen ligjet e kthyera mbrapsht nga Meta gjatë muajit korrik dhe gusht, për të cilat mazhoranca ka deklaruar se do i miratojë shumë shpejt. Vetëm në muajin gusht, Meta ktheu pesë ligje brenda një jave. Disa nga ligjet e kthyera nga Meta janë ai për koncesionet, koncesioni Milot-Balldren, Kodi Penal dhe ligji për zhvillimin e territorit.




Skip to toolbar