Kuvendi rrëzoi sot kërkesat e opozitës për zhvillimin e mocionit me debat urgjent dhe interpelancës urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen e inceneratorëve.
Para votimit në Kuvend, zv/kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu u shpreh se rregullorja e Kuvendit nuk e parashikon mocionin urgjent.
Duke cituar rregulloren, Gogu tha se Kuvendi mund të vendosë me votim të hapur në çdo rast për zhvillimin e mocionit me debat, që nuk mund të zhvillohet më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës.
“Pas kërkesës së pakicës së pakicës vjen edhe një kërkesë urgjente për interpelancë urgjente. Edhe këtë nuk e parashikon rregullorja. Kjo quhet urgjencë fallco. Ka një urgjencë mes tyre, por për Kuvendin nuk ka urgjencë”, tha ai.
Gogu argumentoi se Kuvendi është marrë gjerë e gjatë me këtë çështje dhe krijoi një komision hetimor që e drejtonte opozita.
“U pyet Kryeministri për këto pyetje që bërë Gazmend Bardhi sot, është përgjigjur për orë të tëra. Pas 3 vjetësh si mundet të ketë urgjencë? U ezaurua urgjenca sepse kemi 3 vjet që kemi bërë raportin, Prokuroria e ka marrë dhe ka filluar punën”, tha ai.
Gogu theksoi se në komisionin hetimor, Kryeministri dëshmoi për orë të tëra dhe jo si Kryeministër që i ikën komisionit hetimor e gjykatave.
Ai kërkoi rrëzimin e kërkesës për mocion dhe interpelancës me urgjencë sepse sipas tij, “janë të pambështetura në rregulloren e Kuvendit”.