Lala: Prela ndikoi te hetimi i “Toyota Yaris”

AKTUALITET


Gazetarja Klodiana Lala në lidhje direkte për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, deklaroi se Donika Prela shkeli ligjin me udhëzimin për të dërguar në gjykatë dosjen “Toyota Yaris”. Sipas gazetares, prokurorja Prela tejkaloi kompetencat duke ndikuar në hetimin e kësaj dosje. “Prokuroria e pranon vetë se nuk e di se kush janë pastruesit e parave. Ky udhëzim është urdhër, sepse jepet urdhër që çështja të shkojë në gjyq para datës 24 shtator. Zonja Prela ka vepruar kundër asaj që thotë ligji, më kanë thënë ish-prokurorë e njerëz që njohin ligjet”, tha Klodiana Lala.

Më tej, sipas saj, Donika Prela mund të nxirrte një udhëzim vetëm për të kërkuar shpejtim të hetimeve, ndërsa me udhëzimin për të çuar dosjen ne gjykatë, sipas Klodiana Lalës, Donika Prela, ndikoi në ecurinë e hetimeve.

“Zonja Prela do të ishte në rregull me ligjet nëse do kërkonte shpejtim kur ka mangësi. Prela ka diktuar mënyrën si kanë ecur hetimet. Me reformën në drejtësi, prokurorët duhet të punojë në mënyrë të pavarur. Me garanci dhe përgjegjësi maksimale iu konfirmoj se sot ka pasur debat të fortë në Prokurori të Krimeve të Rënda për këtë çështje. Prela në njëfarë mënyre ka pranuar gabimin që ka bërë. Vetëm prokurorët mund të çojnë çështjen në gjyq dhe jo drejtuesit e Prokurorisë. Akoma veprohet me mendësinë e vjetër. Dosja zyrtarisht ka mbërritr te Krimet e Rënda me firmë të Prelës”, u shpreh gazetarja.

Koldiana Lala solli në kujtesë, për analogji me rastin në fjalë, hetimet për dosjen e financimeve ruse të Partisë Demokratike. “Nëse ju kujtohet çështja e parave ruse, është akuzë zyrtare ndaj liderit demokrat Lulzim Basha, por çështja nuk ka shkuar në gjyq. Në rastin konkret ka cenuar haptazi punën e prokurorëve”, tha gazetarja Klodiana Lala. Megjithatë, në një reagim të bërë gjatë ditës së martë, Donika Prela u shpreh se “nuk kishte detyruar” mbylljen e hetimeve të kësaj dosje. Sipas drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, udhëzimin në një formë të tillë, ia lejon ligji.



Skip to toolbar