Prela ndikoi në mbylljen e dosjes “Toyota Yaris”?

AKTUALITET


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për dosjen “130”, apo e njohur ndryshe dosja “Toyota Yaris”. Lajmin e ka dhënë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela në një reagim për mediat. Prela ka sqaruar publikimin nga News 24 të një shkrese të firmosur prej saj, ku udhëzonte dy prokurorët e çështjes, Doloresa Musabelliu dhe Ened Nakuçi të dërgonin dosjen “Toyota Yaris” në gjykatë, duke mbyllur hetimin e kësaj dosje. Në fakt, pas ndryshimeve ligjore me Reformën në Drejtësi, drejtuesit të Prokurorisë nuk i lejohet të nxjerrë udhëzime detyruese për prokurorët që hetojnë çështje të caktuara, pasi cënon pavarësinë e prokurorëve të dosjes. Megjithatë, në reagimin e saj, Donik Prela pretendon se “nuk ka detyruar” prokurorët të mbyllin hetimet për dosjen “Toyota Yaris”, por i ka udhëzuar ata që të dërgojnë dosjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas saj, këtë gjë ia lejon ligji. “Drejtuesja e Prokurorisë ka udhëzuar me Udhëzim të karakterit Jo të Detyrueshëm, dy prokurorët për përfundimin e shpejtë të procedimit penal më datë 11.09.2019 për të cilin dy prokurorët kishin disponuar me zgjidhjen ligjore të tij një javë më parë, më datë 05.09.2019”, thuhet në reagimin e Donika Prelës.

Po përse Donika Prela ka nxjerrë këtë udhëzim?


Sipas reagimit të saj, udhëzim Jo Detyrues për të mbyllur hetimet e dosjes “Toyota Yaris” dhe dërgimin e saj në gjykatë, është bërë pasi në datën 24 shtator 2019, përfundonte masa e sigurisë “Arrest në burg” për katër personat e arrestuar. Sipas Drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është konstatuar se katër të arrestuarit, Klevi Cani, Edi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, janë nën hetim mbi një vit në gjendje arresti në burg. Sipas Prelës, në muajin qershor të vitit 2019, dy Prokurorët e çështjes kanë marrë zgjatje të afatit të paraburgimit 3 mujor në gjykatë, afat i cili përfundonte në 24 shtator 2019. Për të shmangur limitin e afateve ligjore të paraburgimit për personat nën hetim, dhe kur “nga ana e dy prokurorëve ishte konkluduar me zgjidhjen ligjore, ngritjen e akuzave, më datë 05.09.2017, nga Drejtuesi i Prokurorisë është bërë udhëzimi i dy prokurorëve më datë 11.09.2019 (një javë pas zgjidhjes ligjore të dhënë nga prokurorët) për të bërë përfundimin e shpejtë dhe në kohë të procedimit penal dhe dërgimin në gjykim”, thuhet në reagimin e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Por çfarë ka ndodhur me hetimet?

Dy prokurorët që hetuan dosjen “Toyota Yaris” te Prokuroria e Krimeve të Rënda, në datën 5 shtator të këtij viti, ngritën akuzat ndaj 6 personave për këtë dosje. Konkretisht, Gjykata e Krimeve të Rënda do të duhet të marrë një vendim për katër të pandehurit e arrestuar, Klevi Cani, Edi Lika (Eduart Cani), Agim Ceka, Alban Mollaymeri, si dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, Alfred Vladi dhe Elvis Vladi. Akuzat që rëndojnë ndaj të pandehurve janë: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Hetimet për katër të arrestuarit dhe dy personat e shpallur në kërkim nisën në 4 korrik të vitit 2018. Në datën 24 qershor të vitit të kaluar, në Portin e Durrësi, gjatë kontrollit të dy mjeteve tip “Toyota Yaris”, u gjetën një sasi e konsiderueshme valute, 3.366.700 euro dhe 80.000 mijë franga zvicerane. Në kuadër të hetimeve, në datën 24 qershor të vitit 2018 u arrestuan në flagrancë shtetasi Klevi Cami, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa janë në hetim në masën e sigurisë “Arrest në burg në mungesë” dhe shtetasit Alfred Vladi dhe Elvis Valdi.

Hetimet në Belgjikë dhe Lulzim Basha!

Dosja “Toyota Yaris” nuk po hetohet vetëm nga drejtësia shqiptare. Për të është duke hetuar dhe drejtësia belge, dy prokurorë të së cilës, pak muaj më parë, erdhën në Tiranë dhe morën në pyetjet kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai ishte personi i parë, që nga foltorja e Parlamentit (një vit më parë) dha lajmin se në Durrës ishin sekuestruar mbi 4 milion euro. Basha ngriti akuza politike, duke akuzuar deputetin Taulant Balla si person që kishte lidhje me paratë e sekuestruara. Megjithatë, deri më sot, Prokuroria ka gjetur fajtor vetëm katër personat e arrestuar dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, të cilët në fakt për të njëjtën akuzë kërkohen dhe nga drejtësia belge. Në 30 gusht të këtij viti, gazeta Tema raportonte se Lulzim Basha ishte tërhequr nga akuzat e drejtpërdrejta për Taulant Ballën, Ulsi Manjën dhe Jurgis Çyrben, por kishte deklaruar para prokurorëve belg, se deputetët kishin shkuar në Gjermani disa ditë përpara se të sekuestroheshin paratë.




Skip to toolbar