Analisti Eduard Zaloshnja, komentoi në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se Ilir Meta u vu në lëvizje për Gjykatën Kushtetuese, në çastin që Besnik Muçi u rikthye në Vetting. Konkretisht, sipas Zaloshnjës, Meta reagoi sapo kandidatura e Besnik Muçit u apelua nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. “Në momentin që Teo Jacobs rekomandoi shkarkimin e Muçit, Meta u vu në aksion”, tha ndër të tjera Zaloshnja.
Ndërkohë, analisti Zaloshnja u shpreh se Ilir Meta është në një moment të vështirë, për shkak se Muçi dhe Xhaferllari mund të shkarkohen. Ndaj, sipas tij, Meta kërkon mbështetje te Sali Berisha për shkak se ai është më mirë në sondazhe se Lulzim Basha, dhe i vetmi që mund të garojë kokë më kokë me Ramën në sondazhe.
“Berisha në të gjitha sondazhet që kam bërë unë del më lartë se Basha. Berisha është i vetmi politikan nga opozita që mund të përballet në sondazhe me Ramën. Kokë më kokë vetëm Berisha mund të krahasohet me Ramën. Jo më kot, Meta si politikan i vjetër, në një moment të vështirë ku mund ti rrëzohet Muçi dhe Xhaferllari, i duhet një njeri si Berisha që ka kuotat më të larta”, tha Zaloshnja. /Realstory.al/