Gazetari Alfred Lela deklaroi se Franca nuk ishte i vetmi vend skeptik për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, duke votuar kështu kundër. I ftuar në “Real Story” Lela tha se presidenti francez Emannuele Macron u diabolizua për qëndrimin e tij, ndërsa shtoi se Shqipëria u vendos në rrethin e kuq edhe nga shtete të tjera si Holanda, apo dhe 9 kushtet e vendosura nga Gjermania.
“Fakti që Maqedonia e Veriut u pengua, tregon se ka një përmasë të konjukturë ndërkombëtare. Por e kundërta e bën rastin të dyshimtë. Në kuptimin që Shqipëria nuk mund të lihej vetëm. Pas ‘JO’ Maqedonia e Veriut bëri dhe një hap më europian. Franca u bë tema më e madhe dhe lëshoi hije të errët në mes të ‘Jo’-së. Por mos të harrojmë Holandën, me idenë e heqjes së vizave. Kemi Holandën që ishte skeptike dhe 9 kushtet e Gjermanisë nuk i harrojmë dot. Rrethimi nuk është vetëm i Francës, por ka dhe ca vende të tjera që e bëjnë Shqipërinë të skuqet, u shpreh Lela.
Mes të tjerash ai theksoi se maxhoranca duhet të marrë përgjegjësitë e veta në lidhje me dështimin e negociatave. “Vetë maxhoranca duhet të marrë përgjegjësinë me të madhe. Mos të ndiqet vetëm Franca me atë që i ka ndodhur Shqipërisë. Macron është diabolizuar. Qarqet që trumbetojnë narrativen e majtë e kanë veshur atë me ca gjëra që s’i takojnë. Ne do ishim në të gjitha të drejtat e gjuhës dhe mendjes për t’u zemëruar me një lider ekstremist e populist”, tha Lela.
Ndërsa Analisti Gjekmarkaj tha se maxhoranca ka gënjyer shqiptarët dhe duhet të kërkojë falje. “Kjo maxhorancë ka gënjyer shqiptarët dhe duhet të kërkojë falje. Ka dështuar me negociatat. Kjo qeveri duhet të ikë sepse nuk ka faj Zaev që të marrë përgjegjësi për gjithë shqiptarët. Duhet të ikë kjo qeveri. Atje u mblodhën maqedonas dhe shqiptarë. Këtu jemi ende shqiptarë dhe serbë. Kjo qeveri po korr hashashin që ka mbjellë si projekt politik. Po korr zgjedhjet moniste, po korr mungesën e institucioneve. Nuk kemi si ta fajësojmë Europën, faji qëndron në Shqipëri. Në këto 7 vjet po flasim 4 herë për çelje negociatave”, tha Gjekmarkaj. Analisti u ndal në një moment tjetër, duke kujtuar deklaratat e ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. “E kam dëgjuar zv.ministrin e Punëve të Jashtme, tha një gjë jo shumë serioze për staturën që ne nuk kemi premtuar të hapim negociatat kështu që nuk kemi pse të mbajmë përgjegjësi politike si Zaevi”, u shpreh ai.