Balla në Real Story: Franca, jo e qartë si do bëhet reformimi

POLITIKË


Numri dy i PS, Taulant Balla ka deklaruar në Real Story të Sokol Ballës në Neës 24 se për shkak të vetos franceze për reformimin e BE para se të hapen negociatat, nuk është dëmtuar vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani Perëndimor, duke pasur parasysh këtu edhe Serbinë e Malin e Zi, të cilët kanë mbetur pezull sepse nuk dihet qasja që do të ketë Këshilli Europian. Madje, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaroi se edhe vetë Franca nuk e di se cila është formula ideale për të reformuar BE-në.

Me këtë, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaron se mos vendimmarrja e BE për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me atë çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë këto dy vende. Balla tha se nuk ka një argument të qëndrueshëm për veton e përdorur nga Franca, duke theksuar se mos vendimmarrja lidhet më shumë kontekste të brendshme.


“Teksa vija për këtu, më kishte shpëtuar dje por e lexoja tani një ‘Twitter’ të Wolfgang Ischinger, presidentit të konferencës së Munihut, i cili perifrazonte dy vendime të gabuara të marra pothuajse në të njëjtën kohë, Europës bashkë, përfshinte këtu dhe vendimin e SHBA-ve lidhur me tërheqjen e trupave nga Siria, por rendiste po aq të rëndë dhe vendimin për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kurrë më parë në një rast të ngjashëm, edhe në historinë e re apo të vjetër të BE nuk kemi një numër kaq të madh qeverish, presidentë, kryeministra apo dhe përfaqësues të parlamenteve, kujtoj këtu deklaratën e djeshme të dy personaliteteve të nderuara të CDU/CSU që jo vetëm e rendisin si të gabuar por dhe një formë rebelimi teksa politikanë të shumtë të Europës janë rebeluar kundrejt kësaj vetoje të përdorur nga Franca, për të cilën nuk kam një argument të qëndrueshëm”, deklaroi Balla.

Balla nuk e sheh qëndrimin e Francës të lidhur me azilkërkuesit shqiptarë. Ai tha se shqiptarët në gjithë këto vite destinacion primar kanë Gjermaninë për shumë arsye. “Gjermania si vend praktik ka ndryshuar legjislacionin e azilit dhe legjislacionin që ka të bëjë me rezidencën e përkohshme për punësim të përkohshëm. Në rastin në fjalë Këshilli Europian nuk mori asnjë vendim dhe nga Këshilli Europian nuk kemi asnjë arsye që lidhet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi një element që është vënë në dukje prej vitesh, që nga viti 1960 ende nuk ka ndryshuar sistemi i vendimmarrjes për çështje të këtij karakteri në strukturën vendimmarrëse të BE-së. Mosvendimmarrja nuk lidhet aspak me atë çfarë ka bërë apo çfarë nuk ka bërë Shqipëria. Mos vendimmarrja lidhet me shumë kontekste të brendshme”, u shpreh Balla.

Sipas tij, kjo mbetet një çështje e brendshme e vendeve anëtare të BE, por që Franca ende nuk e ka të qartë sesi do të veprohet. “Ne mes kërkesës së Francës për të ndryshuar tërësisht mënyrën e raportimit të procesit të negociatave, u është kërkuar Komisionit Europian të bëjnë një organizim të ri. Edhe francezët nuk e dinë se cila është formula ideale për të ndryshuar. Komisioni Europian nuk di nga Këshilli Europian se ç’të bëjë, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe më Serbinë dhe Malin e Zi, deri kur të ndajë rolet. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Balla. Balla u shpreh se sa i takon negociatave, përgjigja e Bundestagut ka qenë PO, pasi përgjigje pozitive kishte edhe kancelarja Angela Merkel. Sa i përket rekomandimeve të dhëna, Balla tha se është shpresëplotë se detyrat e Bundestagut do të përmbushen deri në dhjetor.




Skip to toolbar