Brenda vitit 2021 qytetarët do të udhëtojnë vetëm me kartë identiteti në shtetet e Ballkanit. Kjo është marrëveshja e arritur në takimin e “Mini Shengenit” ballkanik që u zhvillua në Novi Sad të Serbisë me pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama foli në gjuhën shqipe dhe tha se historia dhe e shkuara nuk duhet të mbajë peng integrimin dhe bashkëpunimin e këtyre shteteve dhe se tani është koha që të hedhim sytë dhe të mendojmë për të ardhmen.
Rama gjithashtu tha se edhe shtetet e tjera janë të ftuara të bëhen pjesë e Shengenit Ballkanik, ndërsa tha se nuk ka veto për askënd, duke nënkuptuar Kosovën.
“Familja e madhe ka problemet e veta, ato të brendshme, por ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës dhe mosdakordësive të qarta në dëm të fëmijëve që po rriten në këtë rajon. Ku i gjithë rajoni si i tërë të japë një shenjë të qartë se nuk është një zonë e kategorisë së dytë dhe nuk është fidanishte për të bërë eksperimente në pritje që familja europiane të jetë gati të na përfaqësojë. Kjo nismë është në sajë të së ardhmes europiane, duke parë të tashmem si një formë që punon intensivisht për të ardhmen. Jam dakord të takohemi në Ohër, të ftohen të gjithë të tjerët. Por ama një situate e njohur këtu dhe atje të mos na mbajë peng. Të shkojmë përpara. E rëndësishme është që të garantojmë atë që kemi marrë përsipër brenda 2021, territori i Ballkanit Perëndimor ku liritë të mos jenë aspiratë por realitet. Liria e lëvizjes të jetë e vërtetë. Mund të kenë ‘copy right-in’ e Shengenit, por ne do i gjejmë një emër tjetër. Nuk ka asnjë veto për askënd dhe asgjë. Është moment historik. Erdhëm në këtë ditë dhe duhet ta bëjmë realitet nuk duhet të mbesim peng e 26 milionë orëve që na duhet të kalojmë nga një kufi në tjetrin. Nuk kanë pse t’i paguaj këto populli”, është shprehur Rama.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se synimi i kësaj nisme është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.
“Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi. Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, është shprehur Vuçiç.
Takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Nuk dihet nëse Mali i Zi dhe Kosova do të bëhen pjesë e kësaj nisme, pasi më herët ata e kanë kundërshtuar këtë iniciativë duke e cilësuar si përpjekje për të rikthyer ish Jugosllavinë./realstory.al